News

maj282018

Cigaret elektronike shkaktojnë pneumoni. Publikohet rasti i parë

"Ka qenë i nevojshëm shtrimi në spital dhe ventilimi mekanik, në mënyrë që të merrte frymë deri kur mushkëritë e saj të funksiononin sërish..."

 

Një kameriere 18-vjeçare nga Pensilvania që kishte nisur të pinte cigare elektronike, është ndier keq fill pas tre javësh: probleme respiratore, kollë e vazhdueshme, dhimbje gjoksi. "Këto simptoma, më së shumti, janë të lidhura me tymin e cigareve tradicionale, jo me cigaret elektronike", saktësojnë kërkuesit e Qendrës Mjekësore të Universitetit të Pitsburgut, autorë të studimit të rastit, të publikuar në "Pediatrics", duke shpjeguar se pas simptomave të para, pacientja ka pësuar pamjaftueshmëri respiratore.

"Ka qenë i nevojshëm shtrimi në spital për t'i ofruar ventilim mekanik, që të merrte frymë deri kur mushkëritë e saj të rifillonin funksionimin", ka thënë bashkautori Daniel Weiner, duke saktësuar se pasi është përjashtuar çdo lloj infeksioni pulmonar, është arritur të vendoset diagnoza: pneumoni nga mbindjeshmëria. "Produktet kimike të pranishme në cigaren elektronike kanë shkaktuar një reaksion që ka sjellë akumulimin e ujit në mushkëri.

Për fat të mirë, terapia me metilprednisolone endovenoz, që përdoret në trajtimin e reaksioneve të rënda alergjike, ka bërë të mundur një rimëkëmbje të shpejtë", shkruajnë autorët, duke saktësuar se ky është rasti i parë i pneumonisë nga mbindjeshmëria me sindromën e stresit respirator akut, të lidhur me përdorimin e cigareve elektronike nga një adoleshent, që duhet t'i shtyjë pediatrët të diskutojnë me pacientët e tyre për rreziqet e mundshme të lidhura me cigaret elektronike. Miliona njerëz përdorin çdo ditë cigare elektronike, mes të cilëve dy milionë studentë e nxënës të shkollave të mesme e të larta, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Dhe, veçanërisht për të rinjtë, "të bëjnë tym" është sigurisht në modë, ndërkohë që cigarja elektronike konsiderohet më e sigurt, krahasuar me cigaret tradicionale.

"Ndonëse mbeten shumë të panjohura në lidhje me inhalimin e avullit të cigareve elektronike, ka edhe sinjalizime nga të rriturit se kanë patur probleme respiratore", konfirmon Weiner, për të përfunduar: "Hap pas hapi, ndërsa shtohet përdorimi i cigareve elektronike, do të kemi me siguri më shumë sinjalizime për efekte anësore edhe të rënda, siç ishte ky rast".

 

Pediatrics. 2018. doi: 10.1542/peds.2016-3927
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29773665


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>