jan252019
Shkon në Gjykatë "Lista e çmimeve" e Urdhrit të Stomatologut
Ministria e Shëndetësisë çon në gjykatë vendimin e Urdhrit të Stomatologut për t'iu referuar një liste me çmime dysheme për shërbimet dentare, pasi i konsideron të jashtëligjshme dhe të pa aplikueshme. Edhe Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim, duke e konsideruar të jashtëligjshëm këtë vendim.
Por, ndërkohë, tregu stomatologjik shqiptar është totalisht jashtë kontrollit. Askush nuk kontrollon se çfarë materialesh përdoren në klinikat tona dentare ku në fakt gjen materiale nga ato me cilësi shumë të dobët, deri tek ato me cilësi shumë të lartë. Këtë e konfirmon kreu i Shoqatës së Distributorëve të Pajisjeve Dentare.
"Mungon kuadri ligjor për të kontrolluar cilësinë e pajisjeve dhe materialeve dentare, duke nisur që nga aparaturat që importohen nga jashtë e deri te materialet që përdoren nëpër klinika. Agjencia e Pajisjeve Mjekësore lejon që këto të futen nga të gjitha drejtimet jo vetëm nga subjektet që ka autorizuar prodhuesi. Kjo pengon dhe gjurmueshmërinë e materialeve që futen, edhe në rastet kur ato shkaktojnë probleme pasi janë vendosur te pacienti. Pra, nuk ndodh ashtu sikurse me barnat", shprehet Enton Mele, kryetar i shoqatës së distributorëve të pajisjeve dentare.
Në lidhje me rritjen e çmimeve sipas listës së publikuar nga Urdhri i Stomatologut, Mele argumenton se nuk garanton rritjen e cilësisë dhe këtë gjë nuk mund ta bëjë Urdhri i Stomatologut.
"Janë një sërë aktorësh ata që duhet të përcaktojnë çmimet referencë. Duke filluar që nga Ministria e Shëndetësisë, Urdhri gjithashtu, Fakulteti i Stomatologjisë, importuesit e pajisjeve dhe stomatologë që operojnë në treg. Kjo listë duhet të jetë produkt i një analize analitike duke llogaritur kostot, brenda buxhetit të pacientit dhe pa cenuar cilësinë e shërbimit dentar", shprehet z. Mele. Një klinikë dentare mund të importojë materiale nga Kina pa autorizimin e ministrisë së Shëndetësisë, mjafton të paguajë TVSH. Kjo nuk garanton siguri për pacientët.
Alma Demiraj