gus92019
Në 6 qendra shëndetësore në Tiranë do të ketë komisione për KEMP-in
Personat me aftësi të kufizuara në qarkun e Tiranës do të vlerësohen për përfitimin e pagesës për aftësisë së kufizuar në 6 komisione multidisiplinare që pritet të ngrihen në qendrat shëndetësore. Për këtë, do të përzgjidhen ato qendra shëndetësore të cilat kanë edhe infrastrukturën e duhur për personat me aftësi të kufizuar, për lehtësinë e shërbimit ndaj kësaj kategorie. Sipas zëvendës ministres së Shëndetësisë, Bardhylka Kospiri, procesi i vlerësimit në këto komisione, do të bazohet në kritere bio-psiko-sociale.
"Nuk do të jetë thjesht një vlerësim mjekësor, siç e kemi patur deri më tani, por edhe vlerësim social. Kjo do të thotë se do të shihen në të përditshmen e tyre çfarë funksionesh kanë të dëmtuara si pasojë e diagnozës, me qëllim, edhe integrimin e tyre", thekson zëvendës ministrja e Shëndetësisë.
Rolin kryesor në ekipet e vlerësimit e ka punonjësi social, i cili duhet të bashkëveprojë me mjekun, me shërbimin social dhe bashkinë, për mundësi punësimi, në varësi të aftësisë.
Ata do të vijnë të programuar për të zhvilluar një intervistë të detajuar dhe një vlerësim që mund të zgjasë një orë. Përgjigjja i shkon me postë personit dhe nëse konteston, i krijohet mundësia për një takim të dytë", shprehet zëvendës ministrja Kospiri.
Sipas zëvendës ministres së Shëndetësisë, rivlerësimi i aftësisë së kufizuar, synon shmangien e abuzimeve që janë bërë deri më tani dhe përfitimin e pagesës. 5 komisione do të vendosen në Tiranë dhe një, në Fushë Krujë.
Alma Demiraj