tet12019
Ndryshon ligji për pajisjet mjekësore. Kontrolli, që në doganë.
Kjo është masa më e fundit që ndërmerret për të rritur sigurinë ndaj pacientëve.
Për herë të parë, regjistrimi i pajisjeve mjekësore do të kryhet para hyrjes së tyre në tregun shqiptar. Në komisionin parlamentar të shëndetësisë janë prezantuar ndryshimet lidhur me projektligjin "Për pajisjet mjekësore", të cilat pritet të sjellin një përmirësim të procedurave rregullatore të sektorit, të lidhura me prodhimin, importimin dhe regjistrimin e pajisjeve të tilla. Ministrja e Shëndetësisë tha se do të monitorohet i gjithë zinxhiri, deri në daljen në treg, duke filluar nga pajisjet dentare të implantueshme e deri te pajisjet mjekësore të teknologjisë së lartë.
Në vend janë regjistruar rreth 6000 pajisje apo grupe pajisjesh mjekësore. Për herë të parë, përcaktohet një proces licencimi për pajisjet mjekësore, që nuk ekzistonte më parë. Po kështu, do të vendosen rregulla të mirëpërcaktuara edhe për blerjen e pajisjeve online, i monitoruar nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe e Pajisjeve Mjekësore.
Edhe pajisjet mjekësore do të kenë një listë të rimbursueshme, duke u mbuluar nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Për ata që shkelin ligjin, janë parashikuar edhe ndëshkime të cilat me ndryshimet e reja janë shtuar me 8 penalitete, duke filluar nga masat administrative me gjobë për mosdeklarim importi apo vendosjen në treg të pajisjeve në kundërshtim me ligjin, deri në revokim licence në rast të shkeljes së rregullave më shumë se një herë.
Alma Demiraj