News

jan282020

Coronavirusi. Në Shqipëri ngrihet taskforca për masat parandaluese të depërtimit

Ndonëse rreziku që Shqipëria të preket nga coronavirusi është i ulët, Ministria e Shëndetësisë ka mbledhur taskforcën për të marrë masat dhe për të rritur gatishmërinë në të gjitha strukturat e saj. Tashmë ka një menaxhim ndërkombëtar për coronavirusin, por Shqipëria është në fazën e shpërndarjes së informacionit te mjekët dhe në pikat tona kufitare, si aeroporte dhe porte.

Një ditë më parë ka mbërritur në aeroportin "Nënë Tereza" një studente nga Pekini, e cila pak kohë më parë kishte qenë në Vuhan, në vatrën e epidemisë. Burime të Doktor33 thanë se analizat e studentes kanë rezultuar negative.
"Vajza ka udhëtuar nga Pekini në Stamboll e më pas për në Milano, për të mbërritur më 27 janar në aeroportin "Nënë Tereza". Ajo është skanuar në këtë aeroport dhe vijon të mbahet nën mbikëqyrje në ambientet e shtëpisë së saj nga ekspertë të shëndetit publik", shpjegojnë burimet pranë Institutit të Shëndetit Publik.
Por, ndërkohë, priten të mbërrijnë edhe tre studentë të tjerë. Këtë e ka konfirmuar ambasadori shqiptar në Pekin, zoti Selim Belortaja, në faqen e tij në Facebook. Ministria e Shëndetësisë deklaron se nuk ka vend për panik, pasi mundësia e depërtimit të virusit është e vogël. Nga ana tjetër, ajo shton se ne kemi një sistem të mirë mbikëqyrjeje dhe laboratori i ISHP-së është i certifikuar, ndaj mund të diagnostikojmë nëse do të kemi raste të prekura.

Përsa i përket skanimit në aeroport apo porte, ekipi i mjekëve të vendosur atje, sinjalizohet nga kompania ajrore për numrin e personave që ndodhen në bord dhe që vijnë nga zonat e prekura. Më pas, ataa mënjanohen për t'iu nënshtruar një vizite mjekësore dhe një pyetësori. Ekspertët e shëndetit publik sqarojnë se ende nuk ka të dhëna nga OBSH-ja nëse rriskojmë nga marrëdhënia tregtare. Aktualisht thuhet se është rritur transmetimi i virusit nga njeriu te njeriu. Numri i të prekurve në Kinë është regjistruar 4515 dhe kanë humbur jetën 106 persona. Virusi tanimë ka mbërritur edhe në Europë, ku janë konstatuar 3 vetë në Francë dhe një në Gjermani.


Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>