qer172020
Deklaratë për shtyp e Universitetit të Oksfordit: Deksametazoni me kosto të ulët redukton vdekjen deri në një të tretën te pacientët Covid-19
Në mars të vitit 2020, nisi studimi RECOVERY (Randomised Evaluation of COVid-19 thERapY) si një studim klinik me përzgjedhje rastësore për të testuar një sërë trajtimesh të mundshme për COVID-19, duke përfshirë deksametazonin me dozë të ulët (trajtim steroid). Në të u regjistruan mbi 11.500 pacientë nga mbi 175 spitale NHS në Britaninë e Madhe. Më 8 qershor, rekrutimi në krahun deksametazone u ndal, pasi, sipas Komitetit Drejtues të studimit, ishin regjistruar mjaftueshëm pacientë për të vërtetuar nëse bari kishte ose jo një përfitim domethënës.
Një numër i përgjithshëm prej 2104 pacientësh u përzgjodhën në mënyrë rastësore për të marrë deksametazon 6 mg një herë në ditë (në rrugë orale ose me injeksion intravenoz) për dhjetë ditë dhe u krahasuan me 4321 pacientë të përzgjedhur në mënyrë rastësore vetëm për të marrë trajtimin e zakonshëm. Mes pacientëve që kanë marrë vetëm trajtim të zakonshëm, vdekshmëria 28-ditore ishte më e lartë tek ata që kërkonin ventilim (41%), mesatare tek ata pacientë që kërkonin vetëm oksigjen (25%) dhe më e ulët mes atyre që nuk kërkonin ndërhyrje në frymëmarrje (13%). Deksametazoni reduktoi vdekjet me një të tretën te pacientët me ventilim (raporti i normës 0.65 [95% intervali i besimit 0.48 në 0.88]; p = 0.0003) dhe me një të pestën te pacientët e tjerë që merrnin vetëm oksigjen (0.80 [0.67 në 0.96]; p = 0.0021) . Nuk pati asnjë përfitim mes atyre pacientëve që nuk kërkonin ndërhyrje në frymëmarrje (1.22 [0,86 deri 1,75]; p = 0,14).
Bazuar në këto rezultate, do të mund të parandalohej një vdekje, gjatë trajtimit të rreth 8 pacientëve me ventilim ose rreth 25 pacientëve që kërkojnë vetëm oksigjen. Duke pasur parasysh rëndësinë që kanë këto rezultate për shëndetin publik, ne po punojmë tashmë që t'i botojmë sa më shpejt të jetë e mundur detajet e plota. Peter Horby, Profesor i Sëmundjeve Infektive në Departamentin e Mjekësisë Nuffield, të Universitetit të Oksfordit dhe një nga shefat e studimit, tha: "Deksametazoni është bari i parë që tregon se përmirëson mbijetesën në COVID-19. Ky është një rezultat jashtëzakonisht i mirëpritur. Përfitimi i mbijetesës është i qartë dhe i madh tek ata pacientë që janë mjaft të sëmurë për të kërkuar trajtim me oksigjen, kështu që deksametazoni tani duhet të bëhet standard i kujdesit te këta pacientë. Deksametazoni është i lirë, gjendet kudo dhe mund të përdoret menjëherë për të shpëtuar jetët në të gjithë botën".
Martin Landray, Profesor i Mjekësisë dhe Epidemiologjisë në Departamentin e Shëndetit Publik në Nuffild, Universiteti i Oksfordit, një nga shefat hetues të studimit, tha: "Që nga shfaqja e COVID-19 gjashtë muaj më parë, kemi qenë në kërkim të vazhdueshëm për trajtime që mund të përmirësojnë mbijetesën, veçanërisht në pacientët më të sëmurë. Këto rezultate paraprake nga studimi RECOVERY janë shumë të qarta: deksametazoni redukton rrezikun e vdekjes te pacientët me komplikacione të rënda respiratore. COVID-19 është një sëmundje globale. Është një mrekulli që trajtimi i parë i cili ka demonstruar se ul vdekshmërinë është pikërisht një trajtim që e kemi në dispozicion dhe që është i përballueshëm në të gjithë botën."
Kryetari i Këshillit Shkencor të Qeverisë së Britanisë së Madhe, Sir Patrick Vallance, tha: "Sot na vjen një lajm i jashtëzakonshëm nga sudimi Recovery, që tregon se deksametazoni është bari i parë që redukton vdekshmërinë nga COVID-19. Ky lajm është veçanërisht emocionues për faktin se ky medikament është i lirë dhe i disponueshëm.
"Ky është një zhvillim i madh në luftën tonë kundër sëmundjes dhe shpejtësia me të cilën studiuesit kanë përparuar në gjetjen e një trajtimi efektiv është vërtet e jashtëzakonshme. Ai tregon rëndësinë e studimeve klinike me cilësi të lartë dhe vendimeve të bazuara në rezultatet e atyre studimeve."
Studimi RECOVERY
Studimi RECOVERY është një studim i madh me përzgjedhje rastësore, i kontrolluar, që studion trajtimet e mundshme për pacientët e shtruar në spital me COVID-19. Mbi 11.500 pacientë janë përzgjedhur në mënyrë rastësore për t'u trajtuar në mënyrat e mëposhtme, ose për të mos marrë asnjë trajtim shtesë:
- Lopinavir-Ritonavir (zakonisht përdoret për trajtimin e HIV-it)
- Deksametazon me dozë të ulët (një lloj steroidi, i cili zakonisht përdoret për të ulur inflamacionin)
- Hydroksilklorokinë (e cila tani është ndalur për shkak të mungesës së efikasitetit)
- Azitromicinë (një antibiotik që përdoret rëndom)
- Tocilizumabi (trajtim antiinflamator i administruar me injeksion)
- Plazma konvaleshente (e mbledhur nga donatorët që janë shëruar nga COVID-19 dhe që përmban antitrupa kundër virusit SARS-CoV-2).
Deksametazoni ka ulur nivelin e vdekshmërisë 28-ditore me 17% (0.83 [0.74 në 0,92]; P = 0.0007) me një prirje mjaft domethënëse që tregon përfitimin më të madh mes atyre pacientëve që kërkojnë ventilim (test për trendin p <0.001). Por, është e rëndësishme të pranojmë se nuk kemi gjetur prova të përfitimit për pacientët që nuk kërkojnë oksigjen dhe nuk kemi studiuar pacientë jashtë ambientit spitalor. Ndjekja është e plotë për mbi 94% të pjesëmarrësve.
Studimi RECOVERY zhvillohet nga njësitë e regjistruara të studimeve klinike, në bashkëpunim me Departamentin e Shëndetit Publik në Nuffield dhe me Departamentin e Mjekësisë Nuffield. Studimi është mbështetur me një grant për Universitetin e Oksfordit nga NIHR, Fondacioni Bill and Melinda Gates, etj. Studimi përfshin mijëra mjekë, infermierë, farmacistë dhe administratorë kërkimesh në mbi 175 spitale në të gjithë Britaninë e Madhe, të mbështetur nga stafi i rrjetit kërkimor të NIHR.