pri12022
Italia, Covid. Lamtumirë emergjencë! Nga 1 prilli, Italia ndryshon rregullat anti-Covid
Nga 1 prilli, pas më shumë se dy vjetësh, përfundon gjendja e jashtëzakonshme e pandemisë Covid-19, e shpallur nga qeveria Conte në Itali më 31 janar 2020 dhe e zgjatur disa herë gjatë kësaj periudhe.
Nga 1 prilli, në fqinjin tonë përtej Adriatikut nuk do të nevojitet më certifikata e gjelbër për të hyrë në dyqane, zyra publike, banka e zyra postare, hotele dhe banesa, apo për t'u ulur në tavolinat e hapura në bare dhe restorante. Një leje e tillë, megjithatë, do të vazhdojë të kërkohet deri më 30 prill në salla të mbyllura apo evente masive e gara në natyrë. Green pass-i po kështu do të vazhdojë të kërkohet deri në fund të muajit të ardhshëm për dasmat e festat e ditëlindjeve, si dhe në kinema, teatro, pishina, palestra, SPA e diskoteka, konferenca e kongrese, si dhe për pjesëmarrje në koncerte dhe evente sportive të mbyllura. Detyrimi i lejes skadon nga 1 prilli në autobusë dhe metro, ku megjithatë, italianëve do t'u duhet të vazhdojnë të mbajnë maskën FFP2. Në avionë, anije, tragete dhe trena jo rajonalë, leja bazë do të kërkohet deri më 30 prill.
Përsa iu takon vaksinave, në 15 qershor do të reduktohet detyrimi për personelin në shkolla, për ushtarakët apo punonjësit e policisë. Në këtë datë, sipas shtypit italian, tkurret edhe detyrimi i vaksinimit për personat mbi 50 vjeç, i cili do të qëndrojë në fuqi deri në fund të vitit vetëm për personelin shëndetësor, ndërsa zhduket po kështu edhe sistemi i shënimit të rajoneve me ngjyra.
Alma Demiraj