tet312015
Enterovirusi D68 është më virulent se rinovirusi dhe se enteroviruset e tjerë
Infeksioni nga enterovirusi D68 (EV-D68), i cili në vitin 2014 ka qenë përgjegjës për shumë sindroma respiratore vërejtur te fëmijët dhe te adoleshentët, është më virulent se infeksionet e tjera pulmonare, por nuk lidhet me shtimin e riskut për vdekjet apo shtrimet në terapinë intensive. Ky fakt është zbuluar nga një studim i publikuar në "Canadian Medical Association Journal", zhvilluar nga Dominik Mertz i McMaster University, Hamilton në Ontario dhe nga bashkautorët e tij. "EV-D68 është një virus me një filament të vetëm të ARN e cila i përket familjes së Picornaviridae dhe duke qenë një patogjen më pak i zakonshëm se enteroviruset e tjerë, dihet shumë pak rreth vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë", shprehet kërkuesi, duke kujtuar se në gusht - tetor 2014 shumë raste të rënda të sëmundjeve respiratore te fëmijët kanadezë dhe amerikanë janë shkaktuar nga EV-D68. Duke pasur parasysh se shumë e konsiderojnë këtë virus si më agresiv se enteroviruset e tjerë, kryesisht përgjegjës për të ftohurën e zakonshme, kërkuesit kanë krahasuar të dhënat e fëmijëve të infektuar me EV-D68 me rastet e infeksionit nga enteroviruset dhe rinoviruset e tjerë në McMaster Children Hospital në Hamilton, dukë kërkuar ndryshimet mbi ashpërsinë e sëmundjes. "Nga 297 fëmijë të testuar për rino/enterovirus, 93 të rezultuar EV-D68 pozitiv dhe të prirë për depresion respirator kishin probabilitet më të madh për t'u shtruar në spital dhe u trajtuan më shpesh me sulfat magnezi ose salbutamol intravenoz krahasuar me pacientët me infeksion nga rinovirusi apo nga enteroviruse të tjerë", vazhdon Mertz duke theksuar se te pacientët EV-D68, pavarësisht ashpërsisë së simptomave, nuk janë vërejtur rritje domethënëse të riskut të vdekshmërisë apo për shtrime në terapinë intensive pediatrike. Për sa i përket shtrimeve në repartin e pediatrisë, fëmijët me EV-D68 kishin më shpesh se të tjerët një histori familjare me astmë apo alergji. Në një editorial të Michelle Science nga "Hospital for Sick Children" në Toronto shkruan: "Duket e arsyeshme të mendosh se EV-D68 është një patogjen pulmonar më virulent te pacientët me atopi ekzistuese nëse e krahasojmë me rinoviruse dhe enteroviruse të tjerë". Kërkuesja përfundon duke hedhur hipotezën se ashpërsia më e madhe e infeksionit të vërejtur te fëmijët dhe te adoleshentët varet me shumë mundësi nga deficiti i përgjigjes imunitare, shkaktuar nga mungesa e mëparshme e ekspozimit ndaj virusit si pasojë e moshës së re.
Cmaj. 2015. doi: 10.1503/cmaj.150619
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26464137
Cmaj. 2015. doi: 10.1503/cmaj.151121
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26464139
Përktheu: Erjola Taga