Pediatri

kor22018

Sa e çmuar është për shëndetin e fëmijëve, periudha para konceptimit?

Shëndeti i prindërve, para se të konceptojnë fëmijën, ka ndikim jo vetëm në zhvillimin e embrionit, por edhe në rrezikun që kur të rritet, fëmija të vuajë nga një sërë sëmundjesh kardio-metabolike. Ky është përfundimi i tre studimeve të publikuara në "Lancet", që janë përpjekur të vlerësojnë se sa e rëndësishme është periudha para ngjizjes së fëmijës.

Në studimin e parë, një grup nga Kolegji Universitar i Londrës, i udhëhequr nga Judith Stephenson, ka shqyrtuar të dhënat e 509 grave në moshë pjellore, por jo shtatzëna, të cilat i ishin përgjigjur Sondazhit Kombëtar i Dietës dhe Ushqyerjes, të dhënat kanë treguar se 77% e grave të grupmoshës 18-25 vjeç, ndiqnin një dietë që e çonte nivelin e jodit nën atë të rekomanduar dhe se 96% e grave të grupmoshës 18-42 vjeç, kishin nivele hekuri dhe folatesh më të ulëta se ato të rekomanduara për të patur një shtatzëni. Pa folur këtu për faktin që 49% e grave ishin në mbipeshë ose obeze.

Autorët niseshin nga hamendësimi se si ushqyerja e varfër me elemente thelbësore, ashtu edhe obeziteti janë situata shumë të përhapura mes grave në moshë pjellore. "Edhe dallimet mes vendeve me të ardhura të larta ose të ulëta, janë bërë tashmë më të turbullta dhe gjithnjë e më shumë, mbi të gjitha adoleshentët, ndjekin dieta tipike që nuk respektojnë rekomandimet ushqimore në të dyja kontekstet", shpjegon Stephensoni.

Rëndësinë për ta menaxhuar me kujdes periudhën para koncepsionit dhe atë menjëherë pas tij, e nënvizon edhe Tom Fleming (Universiteti i Southamptonit në Angli) dhe skuadra e tij.

"Obeziteti i nënës mund të shkaktojë akumulimin e lipideve në ovocit dhe në embrion, duke shkaktuar stres dhe dëme në metabolizmin e fëmijës, duke ndryshuar normat e rritjes dhe modelin e shprehjes gjenetike. Ka prova të shumta për shembull, se obeziteti mashkullor mund të reduktojë fertilitetin dhe lëvizshmërinë e spermatozoideve dhe të shtojë anomalitë e spermës, që sjellin embrione të cilësisë së dobët", shpjegojnë autorët.

Në studimin e tretë, Mary Barker (Universiteti i Southamptonit), përpiqet të evidentojë nevojën e strategjive të reja në nivel popullsie dhe në nivel individual, për të përmirësuar shëndetin në periudhën para konceptimit dhe për të shtuar ndërgjegjësimin mbi shëndetin e kësaj periudhe mes grave dhe çifteve që planifikojnë një shtatzëni.

 

Lancet 2018. Doi: 10.1016/S0140-6736(18)30311-8
http://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(18)30311-8/fulltext

Lancet 2018. Doi: 10.1016/S0140-6736(18)30312-X
http://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(18)30312-X/fulltext

Lancet 2018. Doi: 10.1016/S0140-6736(18)30313-1
http://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(18)30313-1/fulltext


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>