kor302019
Sëmundjet kronike dhe pushimet verore. Rregullat që do t'ju bëjnë të ndiheni të sigurt
Pushimet e sigurta për fëmijët me sëmundje kronike janë të mundshme, nëse respektohen disa rregulla themelore. "Të paturit e një fëmije me sëmundje kronike, si: astma, dermatiti atopik apo diabeti, nuk duhet ta pengojë familjen në organizimin e pushimeve dhe argëtimit të kohës së lirë", shpjegon Susanna Esposito, presidentja e Shoqatës Botërore të Sëmundjeve Infektive dhe Çrregullimeve Imunologjike, e cila thekson në të njëjtën kohë nevojën që prindërit të jenë të vetëdijshëm për sëmundjen e fëmijës së tyre dhe që vetë fëmija të marrë informacione të qarta dhe të përshtatshme për moshën e tij.
Një ndër sëmundjet kronike që duhen patur kujdes gjatë verës, është astma alergjike. Ja, këshillat:
- Nuk duhet harruar asnjëherë mbajtja me vete e një bronkodilatatori me veprim të shkurtër.
- Vendpushimet malore janë të kundërindikuara për fëmijët alergjikë ndaj bimëve dhe rekomandohen nëse fëmija është alergjik ndaj pluhurave, të cilët nuk mbijetojnë në lartësinë mbi 1,550 metra.
- Në rastet e pushimeve në plazh, duhet qëndruar larg nga brigjet ku ka bimë parietaria dhe ullinj.
Fëmijët me dermatit atopik...
- Të mbrojtur në mënyrën e duhur me një mbrojtës dielli me filtra kimikë dhe fizikë, ata mund të përfitojnë nga ekspozimi i moderuar në diell (duke shmangur periudhën 11:00-16:00).
- Për të parandaluar acarimin e rërës, lajeni fëmijën me ujë të ëmbël dhe sigurohuni që pelena dhe rroba banjat të jenë të thata.
- Gjithashtu, rekomandohet ta mbaroni ditën me një banjë të ngrohtë me sapun qetësues, të ndjekur nga aplikimi i një kremi hidratues.
Diabeti i tipit 1...
- Një dietë e ekuilibruar luan rol qendror në diabetin e tipit 1, ashtu edhe sa u përket orareve.
- Nëse ndryshojnë zakonet ose nëse kryhen aktivitete fizike të forta, terapia duhet të përshtatet sipas indikacioneve të pediatrit.
- Është gjithashtu e nevojshme t'iu kushtoni vëmendje dëmtimeve të këmbëve, të kryeni kontrolle glicemike dhe të mbani një ampulë glukagoni me vete.
Pavarësisht patologjisë së fëmijës, është gjithmonë e domosdoshme të keni me vete disa barna, të tilla si: antipiretikët, antibiotikët, kremrat me kortizon ose dezinfektuesit. Së fundi, Esposito nënvizon rolin themelor të mjekut.
"Përballë një patologjie me karakter kronik, pediatri në të vërtetë e siguron familjen duke e informuar mbi shenja që, nëse ndiqen me kujdes, mbrojnë nga rreziku dhe u japin mundësi të rriturve dhe fëmijëve të gëzojnë festat e dëshiruara dhe përvojat e mrekullueshme", përfundon ajo.
Njoftim për shtyp