gus52019
Sëmundja nga streptokoku. Publikohen udhëzimet për menaxhimin e të sapolindurve
Në revistën "Pediatrics", janë publikuar udhëzimet për menaxhimin dhe trajtimin e sëmundjeve nga streptokoku i grupit B (GBS) te të sapolindurit. Ato janë nënshkruar nga Karen Puopolo (Universiteti i Filadelfias) dhe kolegët, të cilët kanë përditësuar rekomandimet për menaxhimin e fëmijëve të rrezikuar nga sëmundja GBS dhe trajtimin e atyre me infeksion të konfirmuar nga GBS-ja.
"Fillimi i hershëm i sëmundjes nga streptokoku i grupit B ndodh brenda gjashtë ditëve të para të lindjes dhe është më i zakonshëm e shpesh fatal, mes foshnjave të parakohshme", shkruajnë ekspertët e AAP-së, duke vënë në dukje se nuk ka qasje efektive për parandalimin e sëmundjes me fillim të vonshëm, e cila zakonisht ndodh pas ditës së shtatë e deri në ditën e 89-të të jetës.
"Ne e dimë se marrja e masave parandaluese gjatë kujdesit prenatal dhe trajtimi i nënës me antibiotikë gjatë lindjes, mund të parandalojë infeksionet te fëmijët, sidomos tek ata të lindur para kohe, që duhet të përballen me rreziqe më të larta", thotë autorja, anëtare e komitetit AAP mbi fetusin dhe të porsalindurit, duke theksuar se administrimi intrapartum i penicilinës G, ampicilinës ose cefazolinës, mund të ofrojë profilaksinë e duhur antibiotike ndaj GBS-së neonatale me fillim të hershëm. Për formën e hershme, vlerësimi i rrezikut duhet të ndjekë parimet e vendosura, duke përfshirë vlerësimin e veçantë të fëmijëve të lindur ≥35 0/7 javë dhe atyre të lindur ≤34 6/7 javë, të konsideruar si të parakohshëm dhe në rrezik të lartë për GBS.
"Infeksioni me fillim të hershëm duhet të diagnostikohet me hemokulturë ose me kulturën e lëngut cerebrospinal, ndërsa vlerësimi i formës me fillim të vonshëm duhet të bazohet në shenjat klinike të sëmundjes", shtojnë autorët. "Ne shpresojmë të identifikojmë mënyra të tjera për të parandaluar këto infeksione, për shembull, një vaksinë që mund të përdoret në mbarë botën. Ndërkohë, këto udhëzime janë mjeti më efikas i disponueshëm për të mbrojtur fëmijët dhe për të shpëtuar jetë njerëzore", përfundon Puopolo.
Pediatrics. 2019. doi: 10.1542/peds.2019-1882
https://doi.org/10.1542/peds.2019-1882