dhj122019
Vaksina antigrip. Mbulim në ulje te fëmijët. Ja, arsyet...
Vitet e fundit, shkalla e vaksinimit të fëmijëve kundër gripit ka nisur të bjerë, një rënie që nuk duket se lidhet as me ashpërsinë e sezonit gripal, as me efikasitetin e vaksinës, si sa i përket të njëjtit vit, ashtu edhe një viti më parë. Kjo sugjerohet nga një studim i botuar në "JAMA Pediatrics", në formën e një letre kërkimore. Vaksinimi i një fëmije kundër gripit mund të përcaktohet nga shumë ndryshore, por shkalla e vaksinimit mbetet e ulët në krahasim me vaksinat e tjera pediatrike. Megjithatë, ende nuk ishte studiuar nëse ndikonte ashpërsia e sezonit gripal apo efektiviteti i vaksinës.
"Ky informacion mund të jetë i rëndësishëm për të kuptuar se si t'u transmetohen prindërve informacione në lidhje me ashpërsinë e gripit dhe efektivitetin e vaksinës", shpjegon Claire Abrahamne (Qendra Mjekësore Irving në Universitetin e Kolumbias), autore kryesore e studimit. Në studim u përdorën të dhëna publike nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve për stinët nga viti 2010 deri në 2017-tën, në lidhje me klasifikimin vjetor të ashpërsisë për pacientët pediatrikë, normat e vaksinimit kundër gripit sipas grupmoshës dhe sipas efektivitetit të vaksinës.
Ndërsa në vitet e para ka pasur një prirje drejt një rritjeje të konsiderueshme të shkallës së vaksinimit, vitet e fundit është vërejtur një prirje rënëse në të gjitha grupmoshat (6-23 muajsh, 2-4 vjeç, 5-12 vjeç dhe 13-17 vjeç). Ashpërsia e sezonit të gripit aktual dhe të vitit të kaluar nuk është lidhur me normat e vaksinimit. Kështu, megjithëse mund të hamendësohet se prindërit janë në dijeni të ashpërsisë së gripit, edhe përmes mediave, kjo nuk duket se ndikon në normat e vaksinimit në popullatën e përgjithshme. Në mënyrë të ngjashme, nuk u vërejt një lidhje midis niveleve të vaksinimit dhe efikasitetit të vaksinave, që shkonin nga 19%, në 60%. Megjithatë, një rënie e vogël u vërejt në vitin 2015, pas një efektiviteti shumë të ulët të vaksinës gjatë vitit të mëparshëm (19%).
Sidoqoftë, nuk mund të nxirren konkluzione shkakore. Sipas autorëve, ulja e normës së vaksinimit kundër gripit mund të reflektojë popullaritetin në rritje të lëvizjes antivaksinë. Ose, mund të varet nga një përqindje e gabuar e rrezikut, nga rëndesa e gripit dhe nga mungesa e besimit tek autoritetet shëndetësore ose te vetë vaksinat, si në kuptim të efikasitetit, ashtu edhe të sigurisë. Janë të nevojshme kërkime të mëtejshme për të sqaruar këto dyshime.
JAMA Pediatr. 2019. doi: 10.1001/jamapediatrics.2019.4221
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31710347