Pediatri

shk32020

Transplanti i mëlçisë në moshën pediatrike. Sot, prognoza është e shkëlqyer

Gjatë tre dekadave të fundit, prognoza e transplantimit të mëlçisë te fëmijët është përmirësuar ndjeshëm në krahasim me atë që është vërejtur më parë, sipas rezultateve të një studimi të koordinuar nga Douglas Mogul (Departamenti i Pediatrisë në Universitetin "Johns Hopkins", në Baltimorë) dhe botuar në "Journal of Pediatric Gastroenterology and Nutrition".
"Sa do të mbajë një transplant i mëlçisë? Kjo është një nga pyetjet më të zakonshme që më bëhen", thotë studiuesi, duke shpjeguar se përgjigjja nuk është aspak e lehtë të jepet, duke qenë se të dhënat e mbledhura në vitet e para të vëzhgimit nuk janë të sakta. Për t'u thelluar në këtë argument, studiuesit amerikanë përdorën modelin probabilistik, një teknikë e analizës statistikore që jep mundësi për të bërë parashikime për një variabël interesi.

"Kjo qasje na ka dhënë mundësi të vlerësojmë parashikimin afatgjatë te fëmijët që i nënshtrohen sot një transplanti të mëlçisë. Sigurisht, kjo është ajo që duan të dinë familjet", shkruajnë autorët, të cilët duke përdorur të dhëna nga regjistri shkencor i marrësve të transplantit (SRTR) studiuan më shumë se 13.400 pacientë që iu nënshtruan transplantimit të mëlçisë në moshë pediatrike dhe që kanë bërë një transplant të plotë, të ndarë ose me dhurues të gjallë, në periudhën 1987-2018. Në këtë grup përfaqësues në nivel kombëtar, niveli i pritshëm i mbijetesës 20-vjeçare për marrësit e transplantit në periudhën 2007-2018 ishte 84%, krahasuar me 72.8% të vërejtur në 1997-2006 dhe 63.6%, në 1987-1996. Por jo vetëm: Shkalla e mbijetesës 30-vjeçare te fëmijët që i nënshtroheshin kësaj procedure në periudhën 2007-2018 ishte 80.1%, krahasuar me 68.6% në 1997-2006 dhe 57.5%, në periudhën 1987-1996.

"Norma e mbijetesës 20-30-vjeçare ndryshon paksa në bazë të moshës së marrësit, llojit të transplantit dhe indikacionit të tij", theksojnë autorët, duke nënvizuar se këto të dhëna na lejojnë të pohojmë se prognoza afatgjatë e një transplanti të mëlçisë në moshë pediatrike është e shkëlqyer. "Informacioni është jashtëzakonisht i vlefshëm në procesin e vendimmarrjes mes profesionistëve të shëndetit, pacientëve dhe familjeve, në lidhje me pritshmëritë e një transplanti të mëlçisë të kryer te një fëmijë në ditët e sotme", përfundon Moguli.

 

J Pediatr Gastroenterol Nutr. 2019. doi: 10.1097/MPG.0000000000002592
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31880667


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>