Pediatri

tet142020

Zinku me dozë të ulët, efektiv kundër diarresë

Një dozë më e ulët e zinkut mund të trajtojë diarrenë dhe në të njëjtën kohë, të kufizojë të vjellat që vijnë nga vetë terapia. "Dozat më të ulëta të zinkut janë po aq efektive sa dozat më të larta, por kanë një profil më të mirë sigurie. Kjo duhet t'i nxisë politikëbërësit të ndryshojnë strategjinë dhe të zbatojnë terapinë më të fundit", tha Christopher Duggan, nga Spitali i Fëmijëve në Boston, një nga autorët e një studimi të botuar në "New England Journal of Medicine".

Doza e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për trajtimin e diarresë, e cila shkakton vdekjen e gjysmë milioni fëmijëve çdo vit, është 20 mg në ditë për 10-14 ditë. Por 20 mg është një sasi shumë më e lartë (4-10 herë) sesa sasia e rekomanduar ditore për foshnjat e fëmijët e vegjël dhe trajtimi nuk përdoret gjerësisht nga vendet në zhvillim. "Unë mendoj se ky studim është i rëndësishëm, pasi jep vërtet informacion mbi çështjen e dozimit", komentoi Nancy Krebs, nga Spitali i Fëmijëve në Kolorado, e papërfshirë në studim.

Për hulumtimin, 4,500 fëmijë në Indi dhe Tanzani, 6-59 muajsh me diarre akute, u përzgjodhën në mënyrë rastësore për të marrë sulfat zinku për 14 ditë. 6.5%, 7.7% dhe 7.2% e fëmijëve që morën përkatësisht 20 mg, 10 mg dhe 5 mg në ditë, vazhduan të kishin diarre për më shumë se 5 ditë, ndërsa normat e të vjellave ishin 19.3%, 15.6% dhe 13.7%. Për më tepër, doza më e ulët nuk ishte më e ulët se ajo konvencionale përsa i përket sasisë së jashtëqitjes së butë apo ujore (10.8 me 5 mg, 10.9 me 10 mg dhe 10.7 me 20 mg). Siç u shpjegua nga autori kryesor Usha Dhingra, i Qendrës për Kinetikën e Shëndetit Publik në Nju Delhi, krahasuar me fëmijët në grupin 20 mg, ata në grupin 5 mg dhe ata në grupin 10 mg kishin një rrezik përkatësisht 29% dhe 19% më të ulët për të vjella brenda 30 minutash pas administrimit të zinkut, ndërsa më pas efektet ishin të ngjashme. Autorët vunë re gjithashtu se fëmijët në Indi kishin përfituar më shumë nga ulja e dozës. Është për t'u vënë re se, përveç faktorëve të pamatshëm, kishte dallime midis fëmijëve të të dyja vendeve. Ata nga India ishin më të mëdhenj, me status më të ulët nutricional dhe mbulim më të ulët të vaksinimit kundër rotavirusit. Sipas Dugganit, ekziston mundësia që gjetjet të mos jenë të rëndësishme për vendet e zhvilluara, pasi fëmijët ka të ngjarë që tashmë të kenë nivele të larta të zinkut.

 

N Engl J Med 2020; 383:1231-1241. Doi: 10.1056/NEJMoa1915905
https://doi.org/10.1056/NEJMoa1915905


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>