jan102023
Emolientët, efektivë në parandalimin e dermatitit atopik te fëmijët
Sipas një studimi të botuar në Journal of the European Academy of Dermatology & Venereology, aplikimi i hershëm i zbutësve (emolientëve) ose hidratuesve është një mënyrë efektive për parandalimin e dermatitit atopik te foshnjat dhe fëmijët e vegjël.
Dermatiti atopik është sëmundja inflamatore më e zakonshme, kronike dhe e përsëritur e lëkurës, që prek 5-30% të fëmijëve në mbarë botën. "Zbatimi profilaktik i zbutësve është një strategji e njohur efektive kundër dermatitit atopik infantil; megjithatë, dallimi në efektivitet ndërmjet zbutësve të ndryshëm është i panjohur. Ne kryem këtë metaanalizë për të krahasuar zbutësit e ndryshëm të përdorur në mënyrë rutinore për parandalimin e këtyre sëmundjeve", shpjegon autori kryesor i studimit Junqin Liang nga Spitali Xinjiang Uygur në Kinë.
Studiuesit kryen një kërkim sistematik të PubMed, EMBASE dhe Cochrane për të identifikuar studimet mbi këtë temë deri më 28 shkurt 2022. U analizuan 11 prova të kontrolluara me përzgjedhje rastësore të cilat përfshinë 3,483 fëmijë. Tre lloje zbutësish, ndër të cilët: një krem, një emulsion dhe një formulë e përzierë, rezultuan të jenë mjaft efektive në parandalimin e dermatitit atopik infantil; megjithatë, një analizë e mëtejshme sugjeroi se emulsioni zbutës mund të jetë alternativa më e mirë.
Subjektet që morën zbutës përjetuan më shumë efekte anësore. "Rezultatet e këtij rishikimi sistematik dhe metaanalizës tregojnë se aplikimi i hershëm i zbutësve të lëkurës mund të parandalojë në mënyrë efektive zhvillimin e dermatitit atopik te foshnjat, dhe midis tre llojeve të zbutësve të disponueshëm, emulsioni zbutës është ndoshta opsioni optimal për të parandaluar në mënyrë më efektive zhvillimin e sëmundjes gjatë fëmijërisë", përfundojnë autorët.
JEADV 2022. Doi: 10.1111/jdv.18688
https://doi.org/10.1111/jdv.18688