Pediatri

maj252021

Përveçse për Sars-CoV-2, të rinjtë duhet të edukohen edhe për zoonozat e transmetueshme te njeriu

Sipas rezultateve të një studimi shkencor, të botuar në "Frontiers in Public Health", të rinjtë janë pak të informuar në lidhje me tregtinë e paligjshme të kafshëve të vogla dhe rrezikun e transmetimit të patogjeneve te njerëzit. Studimi u krye bazuar në konceptin e "One Health", një qasje që pranon se shëndeti i njeriut është i lidhur ngushtë me shëndetin e kafshëve dhe mjedisin.

Në sondazh mori pjesë një numër i përgjithshëm prej 656 studentësh që vinin nga gjashtë vende. Ata iu përgjigjën një pyetësori anonim, i ndjekur nga një orë mësimore teorike dhe praktike që tregoi rezultatet e sakta të pyetësorit. Pas katër javësh në të cilat studentët ishin thelluar në temën e zoonozave dhe qasjen e "One Health", u zhvillua një leksion i dytë teoriko-praktik. Menjëherë pas kësaj, studentët iu përgjigjën përsëri të njëjtit pyetësor. Në përpilimin e parë, 28.96% e studentëve nuk e dinin se kafshët mund të transmetojnë shumë sëmundje te njerëzit dhe anasjelltas, 32.16% nuk e dinin se çfarë ishte zoonoza dhe 31.4% e injoruan konceptin e "One Health", ndërsa 23.02% e konsideruan tërbimin një sëmundje jo të rrezikshme. Në varësi të gjinisë dhe të vendit, kishte ndryshueshmëri në korrektesën e përgjigjeve, por në përgjithësi kishte një mungesë të theksuar të njohurive për rreziqet nga zoonozat dhe një mungesë të të kuptuarit të përmbajtjes së konceptit të "One Health" në më shumë se një të tretën e studentëve pjesëmarrës në këtë studim.

Në përpilimin e dytë, njohuritë u shtuan me 21.92%. "Kjo është një çështje e shëndetit publik, që duhet përballuar. Ajo që kemi gjetur, tregon se më shumë se një e treta e studentëve që morën pjesë në studim nuk janë në dijeni të rrezikut të zoonozave kur bien në kontakt me kafshë nga tregtia e paligjshme. Prandaj, ne rekomandojmë që edukimi mbi sëmundjet zoonotike dhe koncepti i "One Health" të jetë i pranishëm në kurrikulën dhe programet shkollore me anë të njësive mësimore teorike-praktike", përfundon Paolo Zucca, i Drejtorisë Qendrore për Shëndetësinë, Politikat Sociale dhe Aftësinë e Kufizuar, në Itali, autori kryesor i punimit.

 

Frontiers in Public Health 2021. Doi: 10.3389/fpubh.2021.658876
http://doi.org/10.3389/fpubh.2021.658876 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>