pri172023
Kontakti me kafshët shtëpiake zvogëlon rrezikun për alergji ushqimore te fëmijët
Të sapolindurit që jetojnë në shtëpi me qen ose mace kanë më pak mundësi të zhvillojnë alergji nga ushqimi, edhe nëse janë të ekspozuar edhe gjatë zhvillimit të fetusit, tregon një studim i publikuar në "Plos One". Efekti është modest, por statistikisht i rëndësishëm: ekspozimi ndaj qenve ose maceve gjatë zhvillimit të fetusit ose në muajt e parë të jetës ul rrezikun për alergji ushqimore të mëvonshme me rreth 14%.
"Në disa vende me të ardhura të larta, më shumë se një në dhjetë fëmijë diagnostikohet me një alergji ushqimore, incidencë e cila vazhdon të jetë në rritje", thotë koordinatori i studimit Hisao Okabe nga Universiteti Mjekësor Fukushima në Japoni, duke shtuar se kërkimet e mëparshme kanë sugjeruar një lidhje të mundshme midis reduktimit të alergjive ushqimore dhe kontaktit me qentë ose kafshët shtëpiake në shtatzëni dhe fëmijërinë e hershme.
Prandaj studimi japonez, më i madhi deri më sot, në të cilin autorët përdorën të dhëna nga Japan Environment and Children's Study, një studim grupor mbarëkombëtar, për të vlerësuar 66,215 fëmijë të ekspozuar ndaj kafshëve shtëpiake të ndryshme dhe alergjive ushqimore. Informacioni u mor nga të dhënat mjekësore dhe pyetësorët e vetë-administruar, dhe autorët shqyrtuan rrezikun për alergji ushqimore te fëmijët deri në moshën 3 vjeçare, duke ekzaminuar gjithashtu lidhjen midis kafshëve të ndryshme dhe alergjive ushqimore gjenerike dhe specifike.
Ata zbuluan se kontakti me qentë reduktoi rrezikun e alergjive ndaj vezëve, qumështit dhe arrave, ndërsa kontakti me macet ndaj vezëve, grurit dhe sojës. Studiuesit analizuan gjithashtu efektet e mundshme të kafshëve shtëpiake të tjera, por nuk vunë re asnjë lidhje të rëndësishme midis alergjive ushqimore dhe ekspozimit ndaj breshkave, hamsters ose zogjve. Duke marrë parasysh vetëm alergjinë ndaj arrave, bashkjetesa me hamsters e rriti rrezikun me 93%, megjithëse ishin të pakta familjet që i kishin në shtëpitë e tyre.
"Përfitimet e ekspozimit ndaj kafshëve janë demonstruar në kontekste të ndryshme dhe mesazhi i përgjithshëm është se një mjedis i pasur me biodiversitet promovon zhvillimin imunitar të fëmijëve duke përmirësuar shëndetin e tyre", përfundon Okabe.
PLOS One 2023. Doi: 10.1371/journal.pone.0282725
http://doi.org/10.1371/journal.pone.0282725