tet82018
Pertusisi në shtatzëni. Krijohet testi që mbron nënën dhe fetusin
Pregnancy Complication. Kështu quhet testi i ri i zhvilluar nga qendra klinike "Altamedica" në Romë, që mund t'i tregojë mjekut nëse gruaja shtatzënë është infektuar me pertusis dhe nëse është e nevojshme vaksina, duke shmangur kështu rreziqet për nënën dhe fetusin. Komplikimet më të këqija të pertusisit, sëmundje në rritje në të gjithë botën perëndimore, shfaqen nëse infeksioni ndodh në shtatzëni: gruaja shtatzënë mund t'ia transmetojë infeksionin fetusit dhe, sipas vlerësimeve, rreth 2% e fëmijëve të infektuar brenda vitit të parë të jetës, vdesin.
"Testi Pregnancy Complication është në gjendje të vlerësojë dhe të parandalojë të gjitha problematikat kryesore të shtatzënisë", shpjegon Claudio Giorlandino (drejtor i përgjithshëm i Kolegjit Italian të Mjekësisë për Nënën dhe Fetusin), duke theksuar se pertusisi po shndërrohet në një urgjencë shëndetësore mes nënave të ardhshme. Duke pasur parasysh se shumica e njerëzve nuk janë të mbrojtur nga sëmundja, del gjithnjë e më shumë në pah nevoja për të vaksinuar gratë shtatzëna, për të parandaluar sëmundjen apo rikthimin për nënën dhe për të imunizuar fetusin falë kalimit nëpërmjet placentës, të antitrupave specifikë që janë në gjendje ta mbrojnë edhe pas lindjes.
"Me fjalë të tjera, gratë shtatzëna të vaksinuara mund t'i transferojnë fetusit, pas disa javësh, imunoglobulinat e nevojshme për të mbrojtur të porsalindurin nga infeksioni në muajt e parë pas lindjes", shpjegon Giorlandino. "Kuptohet pra, se sa e domosdoshme është të dimë nëse një grua shtatzënë ka antitrupa të mjaftueshëm për të mbrojtur fetusin në lindje ose nëse është e nevojshme vaksina".
Testi analizon sasinë e antitrupave të IgG që kalojnë placentën dhe nën një mbrojtje të caktuar, zakonisht nën 50 IU/ml, i sugjeron mjekut vaksinimin e shtatzënës, ndërsa nivelet e IgG midis 50 dhe 100 IU/ml janë të mjaftueshme për të mbrojtur nënën. Në anën tjetër, vlerat mbi 100 IU/ml tregojnë një infeksion të vazhdueshëm që kërkon vëmendje të veçantë në lindje, konkretisht, duke bërë largimin e përkohshëm të foshnjave të porsalindura.
Altamedica
http://www.altamedica.it/pertosse-in-gravidanza-arriva-test-che-protegge-mamma-e-feto/