Pediatri

maj92024

ECDC: Janë dhjetëfishuar rastet me pertusis në Evropë

Gjatë vitit 2023 e deri në fund të muajit prill 2024, vendet e Bashkimit Evropian kanë regjistruar afro 60.000 raste me pertusis, krahasuar me vitet 2021 dhe 2022, pra dhjetëfish më shumë, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). Kjo e fundit, rikujton se pertusis, sëmundje endemike në BE dhe në botë, nxit epidemi më të mëdha çdo 3-5 vjet edhe në vendet me mbulim të gjerë vaksinimi, duke mbetur një sfidë për shëndetin publik. "Më të rrezikuarit, janë fëmijët 6 muajsh e poshtë, të pavaksinuar dhe pjesërisht imunë, duke shfaqur komplikacione më të rënda. Pjesa më e madhe e të shtruarve në spital dhe i të vdekurve nga pertusis janë të kësaj grupmoshe", thekson ECDC.

Qendra i nxit autoritetet shëndetësore të përforcojnë programet e vaksinimit dhe të arrijnë një mbulim të gjerë vaksinimi, duke përfunduar në kohë ciklin e imunizimit primar dhe të dozave pasuese, sipas rekomandimeve kombëtare. ECDC konfirmon më tej, se imunizimi kundër pertusis gjatë tremujorit të tretë të shtatzënisë është jashtëzakonisht efikas në parandalimin e sëmundjes dhe vdekjes te të porsalindurit shumë të vegjël për t'u vaksinuar. Jo më kot, pjesa më e madhe e vendeve të BE-së po rekomandojnë edhe vaksinimin e nënës, përveç programit rutinë të vaksinimit pediatrik.

Për ekspertët e ECDC-së shtimi i rasteve me pertusis mund të lidhet me një sërë faktorësh. Ndër të tjera mund të përmendim: pikun e epidemive, individët e pavaksinuar apo pa përditësim të vaksinimeve, rënien e imunitetit, si dhe rënien e fuqisë së mbrojtjes natyrale në popullsinë e përgjithshme gjatë pandemisë së Covid-19. Ata paralajmërojnë se edhe pse të porsalindurit janë më të rrezikuar për t'u prekur rëndë apo për të ndërruar jetë nga kjo sëmundje, edhe të rriturit dhe individët e çdo moshe me patologji të tjera, shfaqin rrezik për komplikacione dhe hospitalizim.

"Shtimi i rasteve me pertusis në të gjithë Evropën, na bën të jemi më vigjilentë. Ajo është një sëmundje e rëndë, sidomos te të porsalindurit, por kemi vaksina të sigurta dhe efikase, që mund ta parandalojnë atë. Vaksinimi është mjeti ynë kryesor për shpëtimin e jetëve dhe për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes", deklaron komisionerja evropiane për shëndetin dhe sigurinë ushqimore, Stella Kyriakides.

"Ndërkohë që përballojmë këtë epidemi të pertusis, është e rëndësishme të kujtojmë jetët e individëve, sidomos ato të të vegjëlve tanë. Vaksinat kundër pertusis kanë rezultuar të sigurta dhe efikase dhe nga çdo hap që hedhim sot, varet shëndeti i së nesërmes. Ne, si prindër apo si operatorë shëndetësorë publikë, kemi përgjegjësi në mbrojtjen e grupeve më të pambrojtur nga ndikimi vdekjeprurës i kësaj sëmundjeje", përfundon drejtuesja e ECDC, Andrea Ammon.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>