qer252021
Kontakti i menjëhershëm lëkurë me lëkurë me nënën mund të shpëtojë foshnjat me peshë shumë të ulët
Nëse fëmijët me peshë shumë të ulët në lindje, vihen shpejt në kontakt lëkurë me lëkurë me nënën, madje edhe para se foshnja të jetë stabilizuar, ulet me 25% vdekshmëria në këtë popullatë, sipas një studimi të botuar në "New England Journal of Medicine" dhe të kryer në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. "Kangaroo Mother Care" (KMC) është një nga mënyrat më efektive për të parandaluar vdekshmërinë e foshnjave globalisht dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon që kontakti lëkurë me lëkurë të fillojë sa më shpejt, sapo foshnja me peshë të ulët të jetë mjaft e qëndrueshme, gjë që zakonisht kërkon disa ditë.
"Ideja e kontaktit lëkurë me lëkurë menjëherë pas lindjes për foshnje shumë të vogla dhe të paqëndrueshme ka rezistencë të fortë, por rreth 75% e vdekjeve ndodhin para se foshnja të gjykohet se është mjaftueshëm e qëndrueshme", shpjegon Nils Bergmani (Instituti Karolinska, Suedi), anëtar i komitetit të studimit. Studiuesit vlerësuan nëse Kangaroo Mother Care i filluar menjëherë pas lindjes, çoi në nivele më të mira mbijetese te foshnjat me peshë të lindjes prej 1 deri 1.8 kg në Gana, Indi, Malavi, Nigeri dhe Tanzani, ku vdekshmëria e këtyre fëmijëve, para studimit, varionte nga 20% në 30%. Në këto vende është ofruar trajnim mbi asistencën neonatale në bazë dhe në kontaktin lëkurë me lëkurë, së bashku me pajisjet themelore për të matur nivelet e oksigjenit të foshnjave dhe për të siguruar ventilim të asistuar.
Në studim, 3,211 foshnje u përzgjodhën në mënyrë rastësore për KMC të menjëhershme në njësinë neonatale, ku nënat gjithashtu morën trajtimin e tyre mjekësor ose atë standard, ndaj nënat dhe foshnjat u vendosën në pavijone të veçanta dhe u ribashkuan vetëm gjatë ushqyerjes së fëmijëve të vegjël. Sapo foshnjat u stabilizuan mjaftueshëm, nënat dhe foshnjat nga të dyja grupet u transferuan në njësinë normale të KMC-së. Gjatë 72 orëve të para, foshnjat në grupin e menjëhershëm të KMC-së patën afërsisht 17 orë kontakt lëkurë me lëkurë në ditë, krahasuar me 1.5 orë në grupin e kontrollit. Vdekshmëria gjatë 28 ditëve të para ishte 12% në grupin e KMC-së së menjëhershme dhe 15.7% në grupin e kontrollit, me një ulje prej 25%. Në grupin e menjëhershëm të KMC-së ka patur më pak fëmijë me temperaturë të ulët trupore ose bakteremi. Studiuesit vlerësojnë se KMC-ja e menjëhershme ka potencialin për të shpëtuar jetën e 150,000 të porsalindurve çdo vit.
NEJM 2021. Doi: 10.1056/NEJMoa2026486
http://doi.org/10.1056/NEJMoa2026486