Pediatri

qer202023

Kontakti lëkurë me lëkurë me nënën ndihmon foshnjat e lindura para kohe

"Kangaroo mother care" (KMC) është një metodë e kontaktit lëkurë me lëkurë midis nënës dhe foshnjës së sapolindur, e cila duket se rrit ndjeshëm mundesitë e mbijetesës së foshnjave të lindura para kohe ose atyre me peshë të ulët në lindje, sipas një studimi të botuar në "BMJ Global Health".

"Organizata Botërore e Shëndetësisë e rekomandon Kangaroo mother care si një mënyre standarde për kujdesin e foshnjave me peshë të ulët në lindje pas stabilizimit klinik. Edhe pse, vazhdon të jetë e paqartë se kur është koha e duhur për të nisur këtë ndërhyrje,", shpjegon autorja kryesore e studimit Sindhu Sivanandan nga Instituti Jawaharlal i Edukimit dhe Kërkimit Mjekësor Pasuniversitar (JIPMER), Puducherry, Indi. Për të mësuar më shumë, studiuesit kryen një përmbledhje të 31 studimeve mbi të kryer mbi këtë temë, duke përfshirë gjithsej 15,559 foshnja të sapolindura. Nga studimet e rishikuara, 27 prej tyre krahasuan KMC-në me kujdesin konvencional, ndërsa 4 të tjerë krahasuan fillimin e menjëhershëm (brenda 24 orëve nga lindja) me fillimin e vonuar të ndërhyrjes.

Analiza e rezultateve tregoi se, krahasuar me kujdesin konvencional, KMC-ja zvogëloi rrezikun e vdekshmërisë me 32% gjatë hospitalizimit në lindje ose brenda 28 ditëve pas lindjes, dhe gjithashtu uli rrezikun për infeksione të rënda, si sepsa, me 15%. Reduktimi i vdekshmërisë u vu re pavarësisht moshës gjestacionale ose peshës së foshnjës në momentin e regjistrimit dhe vendit të nisjes së KMC-së (spital apo komunitet). Gjithashtu u vu re se përfitimet në rastet e vdekshmërisë ishin më të mëdha kur KMC-ja zgjati  për të paktën tetë orë në ditë, krahasuar me kohëzgjatjen më të shkurtër të saj.

Studimet që krahasuan Kangaroo mother care të menjëhershme me atë të filluar më të vonë treguan një reduktim të vdekshmërisë neonatale me 33% dhe ulje të mundshme të rrezikut për sepsë klinike deri në 28 ditë pas fillimit të hershëm të KMC-së me 15%. Edhe pse rishikimi kishte disa kufizime, autorët arritën në përfundimin se gjetjet e tyre e mbështesin praktikimin e KMC-së për foshnjat e lindura parakohe dhe ato me peshë të ulët në lindje, duke e filluar sa më shpejt që të jetë e mundur dhe duke e aplikuar atë për të paktën tetë orë në ditë. 

 

BMJ Global Health 2023. Doi: 10.1136/bmjgh-2022-010728
http://doi.org/10.1136/bmjgh-2022-010728


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>