kor132021
Pastrimi i ambienteve nuk dëmton zhvillimin e sistemit imunitar të fëmijëve
Sipas një përmbledhjeje të literaturës, botuar në "Journal of Allergy and Clinical Immunology", teoria se shoqëria moderne, shumë e pastër, dëmton sistemin imunitar të fëmijëve, nuk është e vlefshme. E ashtuquajtura "hipotezë higjienike" thotë se ekspozimi në fëmijërinë e hershme ndaj mikroorganizmave të veçantë mbron nga sëmundjet alergjike duke kontribuar në zhvillimin e sistemit imunitar. Ekziston një pikëpamje e përhapur në këtë drejtim që e konsideron shoqërinë perëndimore të shekullit XXI si tepër higjienike, që do të thotë se fëmijët ka të ngjarë të jenë më pak të ekspozuar ndaj mikrobeve në fëmijërinë e hershme dhe kështu, të bëhen më pak rezistentë ndaj alergjive.
"Në këtë punim, ne kemi vendosur të zgjidhim konfliktin e dukshëm midis nevojës për pastërti e higjienë për t'u mbrojtur nga patogjenet dhe nevojës për mikrobe që popullojnë organet tona të brendshme e për të vendosur sistemet tona imunitare dhe metabolike", shpjegon Graham Rook (Kolegji Universitar në Londër), i cili udhëhoqi grupin e punës. Studiuesit gjetën katër faktorë pse pastërtia nuk është në të vërtetë problem nga kjo pikëpamje.
- Së pari, mikroorganizmat e pranishëm në një shtëpi moderne nuk janë, në një masë të konsiderueshme, ato që na duhen për imunitet.
- Së dyti, vaksinat, përveçse na mbrojnë nga infeksioni që synojnë, bëjnë shumë më tepër për të forcuar sistemin tonë imunitar, kështu që nuk është e nevojshme të rrezikohet vdekja, duke u ekspozuar ndaj patogjeneve.
- Së treti, ka prova të forta se mikroorganizmat nga mjedisi natyror janë veçanërisht të rëndësishëm për shëndetin tonë dhe pastërtia e higjiena e shtëpisë nuk ndikojnë në ekspozimin tonë ndaj mjedisit natyror.
- Së fundmi, studimi i fundit tregon se kur epidemiologët gjejnë një lidhje midis pastrimit të shtëpisë dhe problemeve shëndetësore siç janë alergjitë, kjo shpesh nuk shkaktohet nga heqja e organizmave, por nga ekspozimi i mushkërive ndaj produkteve pastruese që shkaktojnë një lloj dëmtimi që favorizon zhvillimin e përgjigjeve alergjike. "Ekspozimi i nënave dhe i pjesëtarëve të familjes ndaj mjedisit natyror dhe vaksinave mund të sigurojë të gjitha inputet mikrobike që nevojiten. Këto ekspozime nuk bien ndesh me higjienën ose pastrimin, të shënjestruara në mënyrë inteligjente", përfundojnë autorët.
Journal of Allergy and Clinical Immunology 2021. Doi: 10.1016/j.jaci.2021.05.008
https://doi.org/10.1016/j.jaci.2021.05.008