Pediatri

tet252022

Pas lindjes së parakohshme, i rëndësishëm kontakti lëkurë me lëkurë mes nënës dhe foshnjës

Kontakti lëkurë me lëkurë është thelbësor pas një lindjeje shumë të parakohshme për të rrënjosur një ndjenjë sigurie dhe mirëqenieje te nëna, si dhe për të krijuar lidhjen midis nënës dhe foshnjës së sapolindur. Në këtë përfundim ka arritur një studim i publikuar në Global Qualitative Nursing Research, me autore kryesore Anne Marit Føreland nga Universiteti i Agderit në Kristiansand, Norvegji.

"Fëmijët që lindin dy deri në tre muaj para kohe, ndahen nga nënat e tyre në orët e para pas lindjes", thotë studiuesja, duke kujtuar se rëndësia e kontaktit lëkurë me lëkurë mes nënës dhe foshnjës nuk është asgjë e re.

"Nëse ky kontakt ndodh menjëherë mund të japë shumë përfitime si psikologjike ashtu edhe fizike, siç tregojnë këto rezultate", shpjegojnë bashkautorët, të cilët janë përfshirë në një projekt të madh kërkimor të koordinuar nga Spitali Universitar St. Olav i Trondheimit, qëllimi i të cilit është të analizoje efektin e kontaktit të menjëhershëm lëkurë me lëkurë midis nënës dhe foshnjës së lindur para kohe menjëherë pas lindjes.

Për këtë qëllim, u matën disa parametra të fëmijës, duke përfshirë ngopjen me oksigjen dhe temperaturën e trupit, megjithëse ishte e qartë se jo të gjitha përgjigjet mund të vinin nga të dhënat sasiore. Studiuesit gjithashtu donin të vlerësonin të dhënat cilësore nga përvojat e kontaktit lëkurë me lëkurë të nënave dhe për t'i marrë ato ata analizuan 10 lindje shumë të parakohshme, në të cilat një grup nënash ndoqën rrugën tradicionale të ndarjes së menjëhershme në të cilën ribashkimi mes nënës dhe foshnjës ishte i mundur pas një intervali prej 2-30 orë, ndërsa në grupin tjetër morën pjesë nënat të cilat patën kontakt lëkurë me lëkurë me foshnjat e tyre brenda një ore pas lindjes.

Pas lindjes, nënat u intervistuan për përvojat e tyre, të cilat krijuan bazën e studimit cilësor.

"Të dy grupet e nënave kishin një nevojë të thellë të dinin se foshnja e tyre ishte mirë dhe mënyra më e mirë ishte t'a mbanin foshnjën e tyre lëkurë me lëkurë", komenton Føreland.

"Të jesh në gjendje të përdorësh të gjitha shqisat përbën një ndryshim të madh dhe të gjitha nënat bien dakord: kontakti i menjëhershëm lëkurë me lëkurë nxit si lidhjen me foshnjën ashtu edhe ndjesinë e mirëqenies", përfundon autorja.

 

Global Qualitative Nursing Research 2022. Doi: 10.1177/23333936221097116
http://doi.org/10.1177/23333936221097116


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>