tet292024
Obeziteti në adoleshencë. Trajtimi që redukton simptomat e depresionit dhe çrregullimet e të ngrënit
Një provë klinike me përzgjedhje rastësore e kryer tek adoleshentët obezë, ka treguar se ndërhyrjet dietike intensive jo vetëm që mund të zvogëlojnë indeksin e masës trupore (IMT), por gjithashtu mund të lehtësojnë simptomat e depresionit dhe çrregullimeve të të ngrënit, përfshirë këtu edhe ngrënien kompulsive. Këto rezultate janë të një rëndësie të veçantë, pasi nxjerrin në pah rëndësinë e monitorimit edhe të shëndetit mendor në programet e trajtimit të obezitetit, duke ofruar një vizion më të plotë dhe më të integruar të kujdesit për pacientët e rinj.
Studimi u koordinua nga Hiba Jebeile nga Universiteti i Sidneit dhe përfshiu 141 adoleshentë (mosha mesatare 14.8 vjeç) të cilët u ndoqën për 52 javë. Metodologjia përfshinte një ndjekjen e një diete me sasi të moderuar energjish për 4 javët e para, e ndjekur nga dy qasje të ndryshme dietike: marrje e energjisë në sasi të kufizuar (IER) ose e vazhdueshme (CER). Pjesëmarrësit u monitoruan përmes pyetësorëve të vetë-plotësuar për simptomat e depresionit, çrregullimet e të ngrënit dhe të ngrënit kompulsiv. Vlerësimet u kryen në fillim te studimit, javën e katërt, të gjashtëmbëdhjetë dhe pesëdhjetë e dytë.
Rezultatet treguan një reduktim të ndjeshëm të simptomave të depresionit dhe çrregullimeve të të ngrënit që pas 4 javëve të para të trajtimit, rezultate të cilat u ruajtën deri në fund të studimit dhe nuk evidentuan dallime të rëndësishme midis dy grupeve të ndërhyrjes.
Një e dhënë e rëndësishme që doli nga studimi i botuar në JAMA Pediatrics ka të bëjë me faktin se, pavarësisht reduktimit të përgjithshëm të simptomave, një nëngrup adoleshentësh tregoi përkeqësime, simptoma të reja depresive ose çrregullime të të ngrënit gjatë ndërhyrjes.
"Gjetjet sugjerojnë se trajtimet për obezitetin mund të kenë një rol të dyfishtë, duke përmirësuar shëndetin fiziologjik dhe atë psikologjik", përfundojnë autorët.
JAMA Pediatr. 2024. Doi: 10.1001/jamapediatrics.2024.2851
http://doi.org/10.1001/jamapediatrics.2024.2851