mar232023
Çrregullimet e të ngrënit. Metaanaliza bën përmbledhjen e rasteve te fëmijët
Një metaanalizë e publikuar në "JAMA Pediatrics" tregon se më shumë se një në pesë fëmijë dhe adoleshentë vuajnë çrregullime të të ngrënit dhe se ky problem është më i zakonshëm te vajzat, adoleshentët më të rritur dhe ata me një indeks më të lartë të masës trupore (IMT).
Bashkautori Jose Francisco Lopez-Gil nga Universiteti i Castilla-La Mancha në Spanjë kujton se në vitin 2019 numri i njerëzve me çrregullime të të ngrënit arriti në 14 milionë, duke përfshirë gati 3 milionë fëmijë dhe adoleshentë.
"Çrregullimet e të ngrënit si dietat për humbje peshe të ndjekura deri jashtë normales, të ngrënit e tepruar, të vjellat e vetëshkaktuara, stërvitja e tepërt dhe përdorimi i laksativëve ose diuretikëve janë ndër anomalitë psikiatrike më kërcënuese për jetën, kështu që njerëzit që vuajnë nga një ose më shumë nga këto gjendje vdesin 10-20 vjet më herët se popullata e përgjithshme", shkruajnë studiuesit, duke specifikuar se megjithëse pyetësori me 5 pika Sick, Control, One, Fat, Food (SCOFF) është mënyra më e përdorur për shqyrtimin dhe për identifikimin e çrregullimeve të mundshme të të ngrënit, asnjë nga rishikimet dhe metaanalizat e kryera në të kaluarën nuk e ka përcaktuar saktë përqindjen e çrregullimeve të të ngrënit te fëmijët dhe adoleshentët. Për të eksploruar më shumë mbi këtë temë, Lopez-Gil dhe kolegët morën në konsideratë katër baza të dhënash (PubMed, Scopus, Web of Science dhe Cochrane Library) në periudhën janar 1999-nëntor 2022.
Në fund të hulumtimit, rishikimi sistematik përfshiu 32 studime për 63,181 pjesëmarrës nga 16 vende të ndryshme, nga të cilat rezultoi se sipas mjetit SCOFF, përqindja e përgjithshme e fëmijëve dhe adoleshentëve me çrregullime të të ngrënit ishte 22.36%, dhe se vajzat kishin dukshëm më shumë mundësi (30.3%) të raportonin çrregullime të të ngrënit sesa bashkëmoshatarët e tyre djem (16.98%). Por jo vetëm kaq: frekuenca e çrregullimeve të të ngrënit rritej me rritjen e moshës dhe IMT-së.
"Këto shifra të larta janë shqetësuese nga perspektiva e shëndetit publik dhe riafirmojnë nevojën për strategji për parandalimin e çrregullimeve të të ngrënit", përfundojnë autorët.
JAMA Pediatrics 2023. Doi: 10.1001/jamapediatria.2022.5848
http://doi.org/10.1001/jamapediatria.2022.5848