nën22022
Anestezia në shtatzëni nuk ka lidhje me çrregullimet neurozhvillimore te fëmijët
Sipas një studimi të botuar në Anesthesia, nuk ekziston asnjë lidhje ndërmjet ekspozimit prenatal ndaj anestezisë dhe rezultateve të mëvonshme neurozhvillimore te fëmijët.
"Kirurgjia dhe anestezia zakonisht shmangen gjatë shtatzënisë, por rreth 1% e grave shtatzëna duhet t'i nënshtrohen anestezisë, për shembull, për shkak të ndërhyrjeve urgjente abdominale si pasojë e apendicitit", thotë autori kryesor i studimit Steffen Rex nga Universiteti i Leuvenit në Belgjikë.
"Studimet e kryera te kafshët kanë treguar se anestezia e përgjithshme gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë dëmtim të trurit te fetusi dhe të dëmtojë të mësuarit dhe kujtesën. Megjithatë, nuk është e qartë nëse kjo situatë vlen për edhe për njerëzit", vijon eksperti.
Bazuar në këto prova, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe e Barnave (FDA) në vitin 2016 lëshoi paralajmërimin se përdorimi i përsëritur ose i zgjatur i anestezisë së përgjithshme te gratë shtatzëna gjatë tremujorit të tretë mund të shkaktojë çrregullime neurozhvillimore te fëmijët e ekspozuar.
Për të sqaruar situatën, studiuesit identifikuan foshnjat e ekspozuara ndaj anestezisë ndërsa ishin në mitër dhe krahasuan rezultatet e tyre neurozhvillimore me ato të foshnjave të tjera, nënat e të cilëve nuk morën anestezi gjatë shtatzënisë. Rezultatet neurozhvillimore të më shumë se 500 fëmijëve 2-18 vjeç, u vlerësuan me një sërë mjetesh të standardizuara.
Ekspertët nuk gjetën dallime statistikisht domethënëse në rezultatet e matura midis fëmijëve të ekspozuar dhe atyre të paekspozuar ndaj anestezisë dhe vunë në dukje se efektet e anestezisë ishin të krahasueshme në madhësi me ato të faktorëve të tjerë relevantë, duke përfshirë nivelin e arsimimit të prindërve dhe moshën e nënës në momentin e lindjes.
Për më tepër, ata kujtojnë se nuk do të ishte e mundur të shtyheshin procedurat e kryera për gratë shtatzëna të përfshira në studim deri pas lindjes. "Edhe pse rezultatet e hulumtimit tonë nuk e ndryshojnë rekomandimin për të kryer vetëm procedura urgjente dhe thelbësore kirurgjikale gjatë shtatzënisë, të dhënat mund të përdoren për të qetësuar gratë që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale në një situatë të tillë", përfundojnë ekspertët.
Anaesthesia 2022. Doi: 10.1111/anae.15884
https://doi.org/10.1111/anae.15884