dhj142015
Entresto, bari që zgjat jetën e pacientëve me insuficiencë kardiake
Miliona persona që plaken janë të prekur nga insuficienca kardiake kronike simptomatike me fraksion të reduktuar nxjerrës, ndërsa vijojnë të jenë të pakta mundësitë për t'i trajtuar duke u ofruar atyre shpresa për një jetë më të gjatë dhe me cilësi më të mirë. Por tani kërkimi i "Novartis" propozon Entresto, terapi e kombinimit sacubitril/valsartan, e cila është aprovuar së fundi nga Komisioni Evropian (KE) për trajtimin e pacientëve adultë me insuficiencë kardiake kronike simptomatike me fraksion të reduktuar nxjerrës. Kjo terapi mund të ndihmojë këta të sëmurë që të jetojnë më mirë dhe më gjatë. I njohur me siglën LCZ696, Entresto është i pari që ka dëshmuar në trialin PARADIGM-HF një reduktim domethënës të vdekshmërisë për insuficiencën kardiake, krahasuar me ACE-inhibitore enalapril, trajtimi standard i përdorur sot në kurimin e një sëmundjeje që prek rreth 15 milionë evropianë, nga të cilët, gjysma vuajnë nga forma me fraksion të reduktuar nxjerrës. "Dimë se personat që jetojnë me insuficiencë kardiake janë të ekspozuar ndaj një risku më të lartë vdekshmërie dhe se cilësia jetës së tyre është më e ulët se ajo e pacientëve të prekur nga pothuajse të gjitha patologjitë e tjera kronike. Për këtë arsye është e domosdoshme që pacientët evropianë me insuficiencë kronike simptomatike me fraksion të reduktuar nxjerrës, të mund të përdorin barin e ri, i pari në kategorinë e tij", pohon David Epstein, drejtues i departamentit farmaceutik Novartis. Në një artikull të sapo publikuar në "New England Journal of Medicine", i koordinuar nga Scott Solomon, drejtor i kardiologjisë invazive në "Brigham and Women Hospital" në Boston. Kërkuesit e PARADIGM-HF analizuan të dhënat e 8.442 pjesëmarrësve në testim duke nxjerrë mbijetesën afatgjatë midis të trajtuarve me sacubitril/valsartan ose me enalapril, dhe zbuluan se të parët jetonin 1,5 deri në dy vjet më shumë se të dytët. "Përveç efikasitetit rreth vdekshmërisë, analiza e të dhënave të sigurisë ka treguar gjithashtu se LCZ696 ka një profil tolerimi të ngjashëm me atë të enalaprilit", nënvizon Solomon, duke përfunduar se Entresto i shton gamës farmaceutike në dispozicion të mjekëve një përbërës esencial për të luftuar më mirë këtë sëmundje kaq të zakonshme, veçanërisht te personat mbi 65 vjeç.
N Engl J Med. 2015. doi: 10.1056/NEJMc1509753
http://www.nejm.org/doi/full/10.1056/NEJMc1509753
Përktheu: Erjola Taga