Kardiologji

shk62019

Tromboembolizmi venoz. Filtrat kavale lidhen me një risk vdekjeje për 30 ditë

Përdorimi i një filtri kaval te pacientët me tromboembolizëm venoz (TEV) dhe kundërindikimi ndaj terapisë antikoagulante, lidhet me rritjen e vdekshmërisë për 30 ditë, sipas përfundimit të një studimi observues të publikuar në "JAMA Network Open" dhe të koordinuar nga David Brown (Universiteti i Uashingtonit në Misuri).

"Te pacientët me TEV, për të cilët janë kundërindikuar antikoagulantët, shumë shoqëri shkencore të sektorit rekomandojnë pozicionimin e filtrave kavalë, të përdorur gjerësisht në mungesë të të dhënave mbi vdekshmërinë në këtë nënpopullsi", shkruajnë autorët, duke shtuar se edhe pse një studim i fundit klinik i randomizuar nxjerr në pah një reduktim të embolisë pulmonare me filtrat kavalë, pacientët me kundërindikim ndaj antikoagulantëve ishin përjashtuar nga eksperimentimi.

Për të sqaruar çështjen, kërkuesit kanë analizuar kodet diagnostikuese të 126.030 pacientëve të hospitalizuar me TEV dhe me kundërindikacion ndaj terapisë antikoagulante në Kaliforni, Florida dhe në shtetin e Nju Jorkut nga viti 2006, deri në vitin 2012. Në këtë kohorte, 36,3% e pacientëve është trajtuar me një filtër kaval dhe 63,7%, jo. "Në ndryshim nga studimet e mëparshme, kemi përdorur një analizë të varur nga koha për të korrigjuar intervalin ndërmjet hospitalizimit dhe pozicionimit të filtrit, që të kompensojmë avantazhet e mundshme të mbijetesës në grupin e trajtuar", saktësojnë autorët, që sipas llogarive kanë observuar një rritje modeste, por të rëndësishme të riskut të vdekjes për 30 ditë (1,18; IC 95%: 1,13-1,22; P <0,001).

"Me të gjitha limitet e protokollit observues që është ndjekur nga ne, besojmë se të dhënat tona e justifikojnë një studim vijues të kontrolluar dhe të randomizuar që do të konfirmojë ose jo rritjen e riskut të vdekshmërisë", përfundon Brown-i. Por, në një koment editorial, Eric Secemsky, drejtor i kirurgjisë endovaskulare në Qendrën Mjekësore "Beth Israel Deaconess", në Boston, nuk është shumë i bindur.

"Konkluzioni se filtrat kavalë rritin vdekshmërinë nuk është i saktë, sepse në analizën e kodeve diagnostikuese mund të shpëtojnë shumë faktorë ngatërrues. Për shembull, është e mundur që kandidatët për pajisjen të kenë pasur më parë një risk më të madh për vdekje, për shkak të indikacionit të filtrit. Përveç kësaj, nuk është vënë re nëse pacientët nuk i kishin marrë në mënyrë efektive antikoagulantët, duke qenë se këto informacione vinin vetëm nga kodet diagnostikuese. Është e mundur edhe që pacientët pa filtër kaval të jenë në terapi me antikoagulantë, gjë që do t'iu jepte atyre një përfitim të konsiderueshëm në krahasim me grupin tjetër", shpjegon redaktori.


JAMA Network Open. 2018. doi: 10.1001/jamanetworkopen.2018.0453
https://jamanetwork.com/journals/jamanetworkopen/fullarticle/2687383


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>