sht72020
Ateroskleroza dhe infarkti. Shërimi i pllakave mund të shërbejë si bazë për qasjen terapeutike
Një përmbledhje e botuar në "New England Journal of Medicine" dhe e nënshkruar nga Rocco Vergallo dhe Filippo Crea (Universiteti Katolik "Sacro Cuore" në Romë), bën një përmbledhje të situatës mbi rolin e pllakave aterosklerotike në shfaqjen e sindromave akute koronare. "Prishja dhe erozioni i pllakës aterosklerotike shkaktojnë sindroma akute koronare. Ne donim të shqyrtonim atë që dihet deri më tani mbi mekanizmat dhe mbi karakteristikat fenotipike të shërimit të pllakave, rolin e tyre në ngjarjet klinike dhe implikimet terapeutike", shpjegojnë autorët.
Problemi kryesor për ekspertët është të jenë në gjendje të kuptojnë pse në një moment, disa pllaka shkaktojnë infarkt, ndërsa të tjerat jo. Pllakat aterosklerotike dihet se kalojnë nëpër fazat e aktivizimit (gjatë të cilave bëhen të paqëndrueshme) dhe në faza shëruese. Kërkimet, të cilat më parë ishin përqendruar në mekanizmat që e bëjnë pllakën të paqëndrueshme, prej disa kohësh janë zhvendosur në proceset e shërimit. Studiuesit kanë vërejtur se nganjëherë, pllakat aterosklerotike aktivizohen, por nuk japin simptoma sepse trupi reagon duke i shëruar dhe kështu, shmang trombozën. Por, e rëndësishme është që te disa pacientë pllakat shërohen lehtë, ndërsa te të tjerët, jo.
Kështu, autorët mbështesin një qëllim të ri terapeutik: shndërrimin e "shëruesve të këqij" të pllakave, ose të pacientëve që luftojnë për të arritur këtë shërim, në shërues të mirë, por theksojnë që, për të arritur me të vërtetë këtë rezultat, do të jetë e nevojshme të kuptohen më mirë mekanizmat molekularë që qëndrojnë pas shërimit të pllakave. Në këtë mënyrë, mund të përmirësohet prognoza e njerëzve me sëmundje ateroskleotike sepse përveç reduktimit të rrezikut për formim të pllakave të paqëndrueshme, do të jetë e mundur të vihet situata nën kontroll edhe te pacientët që janë shërues të këqij.
"Fatkeqësisht, me gjithë përparimet e jashtëzakonshme terapeutike të bëra gjatë dekadave të fundit, infarkti mbetet vrasësi numër një si te burrat, ashtu edhe te gratë. Prandaj është e nevojshme të bëjmë më shumë", përfundon Filippo Crea.
NEJM 2020. Doi: 10.1056/NEJMra2000317
https://doi.org/10.1056/NEJMra2000317