mar252021
Smartfonët më të fundit mund të interferojnë me defibrilatorët e implantueshëm
Disa nga modelet më të reja të telefonave inteligjentë të pajisur me magnet, të tillë si iPhone 12, mund të çaktivizojnë defibrilatorët e implantueshëm (ICD), duke penguar funksionet e tyre, sipas një studimi të botuar në "Heart Rhythm". "Sapo iPhone u afrua pranë ICD-së në zonën e majtë të gjoksit, u zbulua pezullimi i menjëhershëm i funksionimit, i cili vazhdoi gjatë gjithë kohës së testit", shpjegon Joshua Greenberg, nga Spitali Henry Ford, Detroit, autori kryesor i punimit.
Shoqata Amerikane e Zemrës deri më tani ka identifikuar pajisjet celulare me rrezik të ulët për ndërhyrje në ICD, por duket që iPhone i fundit dhe ndoshta smartfonët e tjerë të përparuar janë ndryshe. Ekspertët shpjegojnë se ky model ka një rrjet rrethor magnetesh rreth një bobine karikimi qendrore me teknologjinë MagSafe të Apple, e cila përshpejton karikimin. Kjo është arsyeja pse ata menduan se një seri e tillë magnetesh mund të ishte aq e fortë sa të interferonte me ICD-të apo pajisje të tjera në rrezik, domethënë se ishte e aftë të gjeneronte një fushë magnetike të paktën 10 gauss, forca minimale e aftë për të shkaktuar ndërhyrje te defibrilatorët sipas asaj që dihet tashmë. Studiuesit e vendosën iPhone-in pranë një ICD-je Medtronic në pjesën e majtë të gjoksit të një pacienti dhe vëzhguan që ICD-ja ndali së funksionuari në mënyrën e duhur dhe vazhdoi kështu për sa kohë që telefoni ishte vendosur pranë pajisjes kardiake.
"Studimet kanë treguar se modelet e mëparshme nuk e paraqesin këtë rrezik", thotë autori. Kohët e fundit, megjithatë, u zbulua se rripat e orave Apple dhe Fitbit janë të afta të çaktivizojnë ICD-në në distanca prej rreth 2 centimetrash, kështu që ato duhet të mbahen të paktën 15 centimetra larg ICD-ve dhe të mos mbahen gjatë natës.
Apple pranon që iPhone12 përmban më shumë magnete sesa modelet e mëparshme iPhone, por deklaron se telefoni nuk duhet të paraqesë një rrezik më të madh për interferenca magnetike në pajisjet mjekësore sesa modelet e mëparshme. Sidoqoftë, në udhëzime rekomandohet t'i mbani iPhone dhe aksesorët MagSafe më shumë se 15 centimetra larg pajisjeve mjekësore. "Rezultatet tona tregojnë se iPhone 12 paraqet një rrezik më të madh për keqfunksionimet e ICD-ve dhe pajisjeve të tjera mjekësore, për shkak të magneteve më të forta", përfundojnë ekspertët.
Heart Rhythm 2021. Doi: 10.1016/j.hrthm.2020.12.032
https://doi.org/10.1016/j.hrthm.2020.12.032