qer72022
Ushqimet me indeks të ulët glicemik mbrojnë pacientët kardiopatikë
Një dietë që përmban ushqime me një indeks të ulët glicemik mund të përmirësojë gjendjen shëndetësore të pacientëve me sëmundje të arterieve koronare, sipas një studimi të prezantuar në Kongresin ACNAP-EuroHeartCare 2022, kongres shkencor i Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë.
"Tretja e ushqimeve me indeks të ulët glicemik, si: mollët, portokajtë, brokoli dhe perimet me gjethe jeshile, por edhe qiqrat, thjerrëzat, fasulet, orizi kaf dhe tërshëra është më e ngadalshme dhe për pasojë, glicemia rritet në mënyrë më graduale", thotë bashkautori Jamol Uzokov, Qendra Mjekësore e Tashkentit, Uzbekistan, duke kujtuar se studimet e mëparshme sugjerojnë një lidhje ndërmjet dietave me indeks të lartë glicemik, rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit të tipit 2.
Për të vlerësuar përfitimin e mundshëm të një diete me indeks të ulët glicemik në indeksin e masës trupore (BMI), perimetrin e belit, perimetrin e ijëve dhe raportin bel-ije te pacientët me sëmundje të arterieve koronare, autorët nisën një studim me përzgjedhje rastësore dhe të kontrolluar duke caktuar 160 pacientë 38-76 vjeç në një dietë tre mujore me indeks të ulët glicemik, ose në një dietë rutinë që kufizonte yndyrën dhe disa proteina si qumështi i paskremuar, djathi, mishi, të verdhat e vezëve dhe ushqimet e skuqura. Dhe rezultatet ishin të qarta: dieta në studim çoi në ulje të ndjeshme të BMI-së me vlera të reduktuara prej 4,2 kg/m2 në grupin me indeks të ulët glicemik krahasuar me 1,4 kg/m2 te subjektet që ndoqën dietën rutinë.
Madhësia e belit gjithashtu u zvogëlua me 9 cm në grupin me indeks të ulët glicemik dhe me 3.3 cm në grupin e kontrollit. Nga ana tjetër, nuk kishte asnjë ndryshim domethënës midis grupeve për perimetrin e ijëve dhe raportin bel-ije. "Edhe pse nevojiten studime më të mëdha për të konfirmuar këto gjetje, hulumtimi ynë tregon se ushqyerja me ushqime me indeks të ulët glicemik si pjesë e një diete të ekuilibruar mund t'i ndihmojnë pacientët kardiopatikë të kontrollojnë peshën dhe perimetrin e belit", përfundon Uzokov.
ACNAP-EuroHeartCareCongress. ePostersesión.
Influence of diet with low glycemic index on anthropometric parameters in patients with atherosclerotic coronary artery disease