Kardiologji

shk132024

Kohëzgjatja e reanimimit kardiopulmonar ndikon në dëmtimet cerebrale

Sipas një studimi të publikuar në British Medical Journal, probabiliteti që një individ të jetojë pas një reanimimi kardiopulmonar si pasojë e arrestit kardiak në spital, ulet me shpejtësi, duke shkuar nga 22% pas një minuti praktike, në më pak se 1% pas 39 minutave. Po ashtu, probabiliteti për të dalë nga spitali pa dëmtime të rënda cerebrale, reduktohet nga 15% pas një minuti CPR në më pak se 1% pas 32 minutave pa rrahje kardiake. "Arresti kardiak në spital është një urgjencë mjekësore e zakonshme. Disa studime kanë treguar se një kohëzgjatje më e madhe reanimimi te pacientët me arrest kardiak në spital lidhet me probabilitet më të reduktuar për mbijetesë. Megjithatë, ekspertët nuk janë në gjendje të japin këshilla specifike mbi kohën e ndërprerjes së reanimimit", pohon drejtuesi i grupit të punës, Masashi Okubo. Për të mbushur këtë boshllëk, kërkuesit kanë matur efektin e kohëzgjatjes së CPR-së në rezultatet e 348.996 individëve të rritur amerikanë, që kishin kaluar arrest kardiak dhe që ishin trajtuar në spital në vitet 2000-2021. CPR-ja u përkufizua si intervali midis fillimit të shtypjeve torakale dhe rikthimit fillestar të qarkullimit spontan (ROSC), ose si përfundimi i reanimimit.

Matjet kryesore ishin mbijetesa deri në daljen nga spitali dhe rezultati i favorshëm funksional pas daljes nga spitali, i përcaktuar si rezultat i performancës së trurit i barabartë me 1 (performancë e mirë e trurit), ose me 2 (paaftësi mesatare e trurit) në një shkallë prej pesë pikësh. Ekspertët vëzhguan se në 348.996 pacientë, 233.551 (67%) pacientëve iu rikthye qarkullimi spontan pas CPR-së me kohëzgjatje mesatare prej shtatë minutash, ndërsa 115.445 (33%) pacientëve nuk iu rikthye qarkullimi spontan pas CPR-së me kohëzgjatje mesatare prej 20 minutash. Pas një minuti CPR, probabiliteti i mbijetesës dhe i rezultatit funksional të favorshëm te pacientët ishte respektivisht 22% dhe 15%, por me zgjatjen e kohës së CPR-së, probabiliteti për mbijetesë u reduktua në më pak se 1% pas 39 minutave dhe ai për rezultat funksional të favorshëm në më pak se 1% pas 32 minutave.

British Medical Journal 2024. Doi: 10.1136/bmj-2023-076019
http://doi.org/10.1136/bmj-2023-076019


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>