tet312014
Studim i UCB: nga qelizat staminale pluripotenciale do të prodhohen qelizat beta të pankreasit
University of British Columbia (UCB) në Vankuver (Kanada) - në bashkëpunim me partnerët industrialë të bioteknologjisë - ka zhvilluar një procedurë in vitro që mund të konvertojë qelizat staminale pluripotenciale të njeriut në qeliza insulinë-prodhuese.
Ky studim i ri i qelizave mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara në luftën kundër diabetit tip 1. Protokolli mund të transformojë qelizat staminale embrionale në qeliza të afta të prodhojnë insulinë në rreth gjashtë javë, shumë më shpejtë se metodat e përdorura më parë të cilat shkonin deri në katër muaj.
"Ne kemi ardhur edhe më afër duke pasur në dispozicion një burim të pakufizuar të qelizave insulinë-prodhuese, e cila është thelbësore për të trajtuar pacientët me diabet tip 1", thotë Timothy Kieffer, koordinator i studimit dhe profesor në departamentin e Shkencave qelizore, fiziologjike dhe Kirurgjisë në UCB. Protokolli parashikon transformimin e qelizave staminale në qelizat pankreatike duke përdorur një metodë të kulturës qelizore. Konvertimi përfundon vetëm pasi qelizat transplantohen në organizmëm pritës (testimi deri tani ka ndodhur vetëm në modelet e kafshëve). "Ne ende nuk kemi qeliza plotësisht funksionale, por ne jemi shumë afër këtij qëllimi," thotë Kieffer. "Në veçanti", shpjegon ai, "ne kemi arritur të marrim në laborator qelizat që prodhojnë insulinë, por janë ende të pamaturuara dhe kanë nevojë të transplantohen në organizmin pritës për të përfunduar transformimin në qeliza plotësisht funksionale".
Edhe pse nuk janë ekuivalente me qelizat beta të maturuara, aftësia e sekretimit të insulinës në përgjigje të stimulit glicemik dhe inversioni i shpejtë i diabetit in vivo e bën këtë procedurë një alternativë premtuese për përdorimin e qelizave pararendëse pankreatike ose të ishujve të pankreasit nga kufoma për trajtimin e diabetit. Një hap i rëndësishëm i ardhshëm për studiuesit e UCB do të jetë përcaktimi se si do të mund të parandalojnë fenomenin e falkjes së graftit (flakjes së transplantit).
Nat Biotechnol, 2014 Sep 11. [Epub ahead of print]