Diabetologji

pri302018

Hipertensioni arterial te pacienti diabetik. Sa duhet të jenë tensioni sistolik dhe ai diastolik?

Shumë njerëz me diabet të tipit 2, vuajnë edhe nga hipertensioni, i cili shton rrezikun kardiovaskular. Për këtë arsye, udhëzimet aktuale në lidhje me trajtimin e diabetit, rekomandojnë një trajtim të shënjestruar kundër hipertensionit, por vlerat e pranueshme të tensionit, gjithsesi, ndryshojnë në udhëzime të ndryshme. Në disa prej tyre rekomandohet si objektiv një tension 130/80 mmHg, ndërsa në të tjera këshillohet të kufizohemi në arritjen e tensionit 140/90 mm Hg. Këto mospërputhje kanë shkaktuar polemika dhe diskutime të ushqyera, ndër të tjera, nga fakti që, te shumë pacientë, një terapi tepër agresive mund të rriste jo vetëm rrezikun e hipotensionit, por edhe shpeshtësinë e ngjarjeve nga efektet e kundërta të barit.

Në këtë drejtim, një rishikim i publikuar në "Diabetologia", nënshkruar nga Giuseppe Mancia dhe Guido Grassi në Universitetin Milano-Bicocca, diskuton pro-të dhe kundrat e trajtimeve më konservatore dhe, anasjelltas, të atyre më agresive, tek individët me diabet dhe hipertension, në bazë të provave që kanë dalë nga studime me përzgjedhje rastësore, metaanaliza dhe studime të gjera vëzhguese. "Një pikë kritike është se arritja e kontrollit optimal të tensionit të gjakut te diabetikët, shpesh është më e vështirë sesa te subjektet e tjera", theksojnë studiuesit, duke shpjeguar se jo të gjithë të prekurit nga diabeti janë njësoj dhe se rekomandimet nuk mund të zbatohen për të gjitha nëngrupet.

Për më tepër, përballë studimeve dhe udhëzimeve shpesh kontradiktore, mjekëve u duhet të vlerësojnë nevojat dhe preferencat e ndryshme për secilin pacient më vete. Por jo vetëm kaq.

Barna të ndryshme antihipertensive duhen modifikuar me kalimin e kohës, në përshtatje me plakjen e pacientit dhe shfaqjen e ndonjë mosfunksionimi të organeve, siç janë, më së shumti, veshkat. "Në përgjithësi, studimet japin dëshmi të forta në mbështetje të objektivave të tensionit sistolik të gjakut nën 140 mmHg dhe sa më afër 130 mmHg, nëse është e mundur, te pacientët me diabet", shpjegojnë autorët. Dhe Mancia përfundon: "Nga ana tjetër, provat shkencore në favor të vlerave sistolike edhe më të ulëta, pra, më pak se 130 mmHg, janë të kufizuara dhe nuk mbështesin ndonjë ulje të mëtejshme nën 120 mm Hg.

Nga ana tjetër, për presionin arterial diastolik ekzistojnë prova të dukshme të faktit që tek individët diabetikë, mund të reduktohet në 70-79 mmHg pa dëmtuar mbrojtjen dhe sigurinë e pacientëve. Duke patur parasysh stadin aktual të njohjeve, sipas autorëve, është i rekomandueshëm një target i presionit arterial sistolik, pranë, por jo më i ulët se 130 mmHg dhe i presionit diastolik, ndërmjet 70 e 80 mmHg.

 

Diabetologia. 2018. doi: 10.1007/s00125-017-4537 -3
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29372279


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>