Diabetologji

maj162018

Edema makulare diabetike. Diagnostikimi i hershëm, shpëton nga verbëria

Edema makulare diabetike (EMD) është një nga komplikacionet më invaliduese që me kalimin e kohës mund t'u shkaktojë verbëri pacientëve të prekur nga diabeti. Këtë e ka theksuar gjatë takimit "Edema makulare diabetike: kur një komplikacion shndërrohet në patologji", që është promovuar nga Allergani, një takim i rëndësishëm shkencor kushtuar kërkimit dhe praktikës klinike në mjedisin e patologjive të retinës. Tashmë është vënë re se rreth 30% e popullsisë diabetike ka probleme me retinën, kështu që retinopatia diabetike mund të jetë një komplikacion i parashikueshëm dhe i parandalueshëm. Parandalimi dhe menaxhimi i duhur i diabetiti janë kështu me rëndësi parësore për të evituar fillimin e komplikacioneve të rënda.

"Edema makulare diabetike i është shtuar barrës tashmë shumë të lartë të sëmundjes", saktëson profesor Massimo Porta, përgjegjës në Qendrën e Retinopatisë Diabetike, AOU, Torino. "Çdo pacient diabetik, në veçanti ata me diabet të tipit 2, duhet t'i nënshtrohet rregullisht, të paktën çdo dy vjet, kontrollit për të vlerësuar praninë e retinopatisë diabetike dhe, në rast se vihet re një prani e tillë, duhet ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme. Kjo bëhet me qëllim, trajtimin e kësaj patologjie në fazat e para të zhvillimit, kur shikimi nuk është dëmtuar ende, duke e drejtuar pacientin në këtë mënyrë te specialisti referues".

Ekspertët kanë nënvizuar edhe rëndësinë e një qasjeje shumëdisiplinare ndaj patologjisë dhe, në veçanti, për menaxhimin e retinopatisë diabetike, bashkëpunimin e ngushtë mes diabetologëve dhe okulistëve.

Edema makulare diabetike, në të vërtetë, i shtohet barrës tashmë shumë të rëndë të patologjisë diabetike: në harkun e gjashtë muajve, më shumë se gjysma e pacientëve me EMD kanë lënë mesatarisht 19 takime me specialistë të ndryshëm, me një kohëzgjatje 4 orë e 30 minuta secila dhe 37% kanë nevojë për më shumë se dy ditë mungesë në punë, gjë që ka kosto të mëdha për ta, të drejtpërdrejta ose jo.

Ekziston gjithashtu një ndikim i dukshëm psikologjik: rreth 80% e njerëzve kanë më shumë frikë se do të humbasin shikimin, sesa humbjen e një gjymtyre; 75 % e pacientëve referojnë ankth para se të bëjnë injeksionin, 54% referojnë ankth për më shumë se dy ditë para trajtimit. Përballë kësaj panorame, dalin disa nga nevojat kryesore të pacientëve me edemë makulare diabetike janë: të kenë më pak injeksione (42%) dhe më pak takime me mjekun (22%).

Përsa i përket trajtimit të EMD-së, për shumë vjet, lazeri ka qenë e vetmja kurë e disponueshme. Sot ekzistojnë terapi farmakologjike, që përdoren fillimisht për të trajtuar degjenerimin makular, që mbajnë nën kontroll edemën dhe merren nëpërmjet injeksioneve të përsëritura intravitreale (barna anti-VEGF), mesatarisht në mënyrë mujore, të paktën gjatë cikleve të para të trajtimit. Inflamacioni luan një rol të rëndësishëm në patogjenezën e edemës makulare diabetike dhe, së fundi, disponueshmëria e deksametazonit, një trajtim specifik për EMD-në që vepron në mënyrë të synuar mbi inflamacionin, ka ndikuar në mënyrë të dukshme si në frekuencën e marrjes së trajtimit, ashtu edhe në bashkëpunimin dhe në cilësinë e jetës së pacientëve.

"Në një skenar kaq kompleks, opsionet e reja të trajtimit të edemës makulare diabetike, përfaqësojnë një përparim të madh shkencor si për mjekët, ashtu edhe për pacientët", përfundon profesor Francesco Bandello (Instituti Shkencor San Raffaele, Milano), Përgjegjës Shkencor i Kongresit. "Sot është i disponueshëm një trajtim specifik për kurimin e edemës makulare diabetike, duke nisur nga inflamacioni që e shkakton atë. Bëhet fjalë për një bar kortizonik (me bazë deksametazonin) me lëshim të lehtë, që injektohet në kavitetin e vitreusit: principi aktiv shpërndahet gradualisht në vitreus, duke qëndruar aty për shumë muaj. Kjo bën të nevojshëm një injektim çdo 6 muaj, me një avantazh të madh për pacientin".


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>