Diabetologji

tet162018

Diabeti i tipit 2. Si të shndërrohet agjërimi, në një opsion terapeutik

Një agjërim i përhershëm i planifikuar mund të ndihmojë në trajtimin e diabetit të tipit 2, sipas një artikulli të publikuar në "BMJ Case Reports", që përshkruan tre pacientë të cilët duke agjëruar, kishin qenë në gjendje të eliminonin plotësisht nevojën për trajtim me insulinë. Tre individët meshkuj 40-67 vjeç, të trajtuar me insulinë dhe barna të tjera, kishin përveç diabetit, edhe tension e kolesterol të lartë. "Dy nga burrat kanë agjëruar me ditë të alternuara për 24 orë, ndërsa i treti ka agjëruar tre ditë në javë. Në ditët e agjërimit, ata u lejuan të pinin pije me pak kalori, të tilla si çaji, kafja, uji ose supë dhe të konsumonin një vakt me pak kalori në mbrëmje", shpjegon Suleiman Furmli (Universiteti i Torontos, Kanada).

Para se të fillonin regjimin e agjërimit, të gjithë kishin marrë pjesë në një seminar të shkurtër për ushqimin, që ofronte informacion mbi zhvillimin e diabetit, rezistencën ndaj insulinës, ushqimin e shëndetshëm dhe mënyrën si të menaxhonin diabetin përmes dietës dhe agjërimit terapeutik. Të tre burrat ishin në gjendje të ndalonin injektimin e insulinës brenda një muaji nga fillimi i programit të agjërimit dhe madje në një rast, brenda pesë ditëve. Pas rreth 10 muajve, ata iu nënshtruan matjeve të glukozës së gjakut esëll, glukozës mesatare në gjak, peshës dhe perimetrit të belit. Të gjithë individët ranë në peshë (10-18% më së paku) dhe reduktuan nivelet mesatare dhe ato esëll të glukozës në gjak, gjë që mund të ndihmonte në reduktimin e rrezikut të komplikimeve të ardhshme. Përveç kësaj, dy prej burrave ishin në gjendje të ndalonin marrjen e medikamenteve të diabetit, si dhe të insulinës, ndërsa i treti i ndërpreu tre nga katër barnat që po merrte.

Të tre burrat raportuan se ishin në gjendje të pajtoheshin me programin ushqimor pa shumë vështirësi. Autorët, megjithatë, paralajmërojnë që të mos arrihet në përfundime të nxituara dhe nënvizojnë se ky është një studim vëzhgues që iu referohet vetëm tre rasteve, të gjithë meshkuj dhe nuk është e mundur të nxirren konkluzione përfundimtare mbi suksesin e kësaj qasjeje për trajtimin e diabetit të tipit 2. Megjithatë, një sërë rastesh treguan se regjimet e agjërimit 24 orësh mund të ndryshojnë ose eliminojnë në mënyrë të konsiderueshme nevojën për barna diabetike", përfundojnë hulumtuesit.

 

BMJ Case Reports 2018. doi: 10.1136/bcr-2017-221854
http://casereports.bmj.com/lookup/doi/10.1136/bcr-2017-221854


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>