qer62019
Diabeti gjestacional. Progesteroni në shtatzëni, shton rrezikun
Një metanalizë e botuar në "American Journal of Obstetrics and Gynecology" tregon se gratë që marrin hidroksiprogesteron kaproate (17-OHPC) për parandalimin e lindjes së parakohshme, rrezikojnë më shumë për të zhvilluar diabet melit gjestacional. "Disa studime kanë sugjeruar se integrimi i progestinikëve gjatë shtatzënisë për të ulur rrezikun e lindjes së parakohshme (PTB), mund të shtojë rrezikun e zhvillimit të diabetit gjestacional. Për këtë arsye, vendosëm të vlerësonim provat ekzistuese që lidhen me këtë korrelacion", shpjegon Vasilios Pergialiotis (Universitetit Kombëtar dhe Kapodistrian i Athinës), autori kryesor i studimit.
Studiuesit kanë kërkuar studime me përzgjedhje rastësore dhe studime vëzhguese mbi baza të ndryshme të dhënash, duke evituar kufizime për shkak të gjuhës, vendit dhe kohës. Në analizë janë përfshirë 11 studime, me një numër të përgjithshëm prej 8.085 grash. Ekspertët kanë vëzhguar se gratë që janë trajtuar me 17OHPC, kanë shfaqur një shtim të rrezikut për të zhvilluar diabet melit gjestacional (risku relativ, RR: 1,73), ndërsa ato që janë trajtuar me progesteron në rrugë vaginale, kanë shfaqur një reduktim të rrezikut, edhe pse ky nuk është domethënës (RR: 0,82). Siç shpjegojnë kërkuesit, metanaliza që ka të bëjë me lidhjen e 17OHPC dhe nisjen e diabetit gjestacional kishte forcën e duhur për të arritur konkluzione përfundimtare, kusht që në fakt, nuk është verifikuar në rastin e progesteronit vaginal. Autorët nënvizojnë se, për shkak të dallimeve në karakteristikat metodologjike të studimeve të përfshira dhe të popullsive të studiuara, në rezultatet e metanalizës mund të kenë ndikuar faktorë të ndryshëm.
"Megjithatë, jemi përpjekur të kapërcejmë këto barriera, duke implementuar analiza të ndryshme dytësore, në mënyrë që të zvogëlojmë të paktën pjesërisht mundësinë e shtrembërimeve të heterogjenitetit", shpjegojnë. Sipas ekspertëve, mjekët duhet të marrin në konsideratë mundësinë e shtimit të vigjilencës sa i përket diabetit gjestacional nëse përshkruajnë 17OHPC dhe do të ishte mirë të rivlerësohej zgjedhja e progesteronit për gratë obeze, ose gratë që kanë akumuluar shumë peshë në periudhën para shtatzënisë, gra me historik familjar diabeti dhe historik të vezores policistike.
Am J Obstet Gynecol. 2019. doi: 10.1016/j.ajog.2019.05.033
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31132340