pri22021
Diabeti gjestacional. UPFSTF-ja këshillon skrinimin gjatë apo pas javës së 24-tërt të shtatzënisë
Në një dokument të botuar në faqen institucionale, ekspertët e Task Forcës së Shërbimeve Parandaluese në SHBA (UPFSTF) rekomandojnë skrinimin për diabet melit gjestacional (GDM) gjatë ose pas 24 javësh të shtatzënisë te gratë asimptomatike. Task Forca ka konfirmuar gjithashtu se provat aktuale nuk janë të mjaftueshme për të rekomanduar skrinimin e pacienteve shtatzëna para se të arrijnë në javën e 24-tërt të shtatzënisë.
"Prevalenca e diabetit gjestacional në Shtetet e Bashkuara varion midis 5.8% dhe 9.2%, sipas UPFSTF-së, por normat mund të jenë edhe më të larta në varësi të kritereve të përdorura dhe trajtimi në kohë i sëmundjes mund të ulë rrezikun e lindjes së një fetusi me peshë të madhe, prerje cezariane, lëndime të lindjes dhe shtrime në terapinë intensive", thotë anëtarja e task forcës Jennifer Pillay (Universiteti i Albertës, Kanada), që së bashku me kolegët kryen një përmbledhje sistematike të literaturës për të përditësuar rekomandimet e UPFSTF-së mbi përfitimet dhe dëmet e skrinimit të GDM-së, duke zgjedhur 18 studime të kontrolluara dhe 87 studime vëzhguese.
Duke vepruar kështu, studiuesit zbuluan se katër studime të depistimit treguan një lidhje midis diagnozës së hershme dhe një rreziku të reduktuar si për gruan shtatzënë, ashtu edhe për të porsalindurin. "Gratë që diagnostikohen me GDM, por nuk trajtohen, shfaqin një rrezik më të madh për preeklampsi, operacion cezarian dhe makrozomi", thuhet në dokumentin i cili shpjegon se në bazë të nëntë studimeve klinike, trajtimi i GDM-së së butë duke filluar nga java e 24-tërt e shtatzënisë, lidhet me një rrezik më të vogël për lindje cezariane primare, lindje të parakohshme, preeklampsi, makrozomi, fetus të madh krahasuar me moshën gjestacionale dhe për dëmtime gjatë lindjes.
"Për fat të mirë, depistimi për diabetin gjestacional në javën e 24-tërt ose më vonë është i thjeshtë, i sigurt dhe efektiv dhe mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit te gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre", vijon studiuesi. "Bazuar në këto rezultate, UPFSTF-ja përfundon se ka një përfitim të moderuar neto të skrinimit për GDM në javën e 24-tërt të shtatzënisë për të përmirësuar prognozën e nënës dhe fetusit (rekomandimi i tipit B). Në të kundërt, provat në favor të skrinimit për GDM te gratë shtatzëna asimptomatike para 24 javëve të shtatzënisë janë aktualisht të pamjaftueshme për të vlerësuar ekuilibrin midis përfitimeve dhe dëmeve".
USPSTF
https://www.uspreventiveservicestaskforce.org/uspstf/document/draft-evidence-review/gestational-diabetes-mellitus-screening1