qer302021
Një dietë e shëndetshme që nga konceptimi, deri në tremujorin e dytë të shtatzënisë, redukton komplikacionet
Sipas një artikulli të nënshkruar nga studiuesit e Instituteve Kombëtare të Shëndetësisë (NIH), ndjekja e një diete të shëndetshme në periudhën e konceptimit e deri në tremujorin e dytë, mund të pakësojë rrezikun e disa komplikacioneve të zakonshme në shtatzëni, të tilla si diabeti gjestacional, hipertensioni i shtatzënisë dhe lindja e parakohshme. Studimi, i botuar në "American Journal of Clinical Nutrition", u drejtua nga Cuilin Zhang dhe kolegët e tij nga Eunice Kennedy Shriver National Institute of Child Health and Human Development (NICHD) në NIH.
Studiuesit analizuan të dhënat e mbledhura nga NICHD Fetal Grovvth Study, të lidhura me gati 1,900 gra që iu përgjigjën pyetësorëve në lidhje me dietën e tyre nga java e 8-të deri në javën e 13-të të shtatzënisë. Pjesëmarrëseve iu kërkua gjithashtu të vlerësonin se çfarë kishin ngrënë në tre muajt e mëparshëm. Në 16-22 javë dhe në 24-29 javë, gratë identifikuan atë që kishin ngrënë në 24 orët e mëparshme. Përgjigjet u vlerësuan bazuar në tre masa të ushqyerjes së shëndetshme: Indeksi Alternativ i Ushqyerjes së Shëndetshme (AHEI), Dieta Alternative Mesdhetare (AMED) dhe Qasjet Dietike për Ndalimin e Hipertensionit (DASH). Të treja masat theksojnë konsumin e frutave, perimeve, drithërave, arrave dhe bishtajoreve, ndërsa kufizojnë mishin e kuq dhe të përpunuar. "Në përgjithësi, ndjekja e çdo diete, nga momenti i konceptimit deri në tremujorin e dytë shoqërohet me një rrezik më të ulët për diabet gjestacional, hipertension, preeklampsi dhe lindje të parakohshme", tha Zhangu. Për shembull, gratë shtatzëna me rezultate të larta AHEI në 16-22 javë, kanë 32% më pak mundësi për të zhvilluar diabet gjestacional sesa gratë me rezultate të ulëta. Në mënyrë të ngjashme, gratë shtatzëna me rezultate të larta të DASH-it në 8-12 javë dhe 16 deri në 22 javë, kanë një rrezik 19% më të ulët për hipertension në shtatzëni. Më në fund, një rezultat i lartë AMED, i matur në 24-29 javë, ose një rezultat i lartë i DASH-it në 24-29 javë është lidhur me një reduktim deri në 50% të rrezikut për lindje të parakohshme.
Am J Clinical Nutrition 2021. Doi: 10.1093/ajcn/nqab145
http://doi.org/10.1093/ajcn/nqab145