pri122022
Riprodhimi i asistuar shton rrezikun kardiovaskular
Gratë që përdorin teknologjinë riprodhuese të asistuar (ART) rrezikojnë të kenë komplikacione të mëdha jo vetëm vaskulare, si hipertensioni dhe diabeti, por edhe të lidhura me shtatzëninë, si për shembull shkëputja e placentës, lindja cezariane dhe lindja e parakohshme.
Kjo ka dalë nga një studim retrospektiv i sapopublikuar në Journal of American Heart Association, me nënshkruese të parë Pensée Wu, specialiste në mjekësinë materno-fetale në Universitetin Keele në Stafordshir, Britani e Madhe. "Gratë më të mëdha në moshë po i drejtohen gjithnjë e më shumë teknologjisë së riprodhimit të asistuar, por avancimi i moshës së nënës, veçanërisht pas moshës 35 vjeçe, shton rrezikun për të pasur ose zhvilluar sëmundje si hipertensioni kronik, që rrisin rrezikun e komplikacioneve të shtatzënisë", thotë autorja, që së bashku me kolegët e saj ekzaminuan të dhënat në SHBA të daljeve nga spitali që ndodhën midis 1 janarit 2008 dhe 31 dhjetorit 2016, duke nxjerrë rastet që specifikojnë përdorimin e riprodhimit të asistuar dhe komplikacionet kardiovaskulare dhe të lidhura me shtatzëninë.
Studimi përfshiu mbi 106,000 gra që e kishin arritur konceptimin me teknologjinë ART dhe më shumë se 34,167,000, që nuk e kishin përdorur këtë teknologji. "Teknologjia e riprodhimit të asistuar u zgjodh nga gratë me një moshë mesatare 35 vjeçe krahasuar me 28 për ato që mbetën shtatzënë pa këtë teknologji", shkruajnë autorët. Dhe rezultatet flasin vetë: mes atyre që kishin përdorur teknologjinë ART, u vu re një prevalencë më e lartë e sëmundjeve paraekzistuese, si: hipertensioni, obeziteti dhe diabeti. Por kjo nuk është e gjitha: mbi 2.5 herë më e lartë ka qenë prevalenca e dëmtimit akut të veshkave, ndërsa rreziku i aritmisë ishte 65% më i lartë. Studimi zbuloi gjithashtu një rrezik 57% më të lartë të shkëputjes së placentës, 38% të lindjes cezariane dhe 26% të lindjes së parakohshme.
"Është e rëndësishme që gratë të dinë se teknologjia e riprodhimit të asistuar mbart rreziqe më të mëdha komplikacionesh, të cilat kërkojnë monitorim të kujdesshëm të shtatzënisë", vijon Wu-ja. "Është për t'u habitur që teknologjia ART është e lidhur në mënyrë të pavarur me këto komplikacione dhe jo vetëm me kushte shëndetësore para-ekzistuese ose vetëm midis grave të më të mëdha në moshë që i nënshtrohen trajtimit për infertilitet. Nisur nga natyra retrospektive e studimit, nevojitet konfirmim i mëtejshëm", përfundon ajo.
JAHA 2022. Doi: 10.1161/JAHA.121.022658
https://doi.org/10.1161/JAHA.121.022658