Gjinekologji

pri12020

Diabeti i shtatzënisë ose i mëparshëm i rrezikon fëmijët nga sëmundje kardiovaskulare të parakohshme

Sipas një studimi të publikuar në "British Medical Journal", fëmijët e grave që kanë vuajtur nga diabeti para apo gjatë shtatzënisë, shfaqin një normë më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare me fillim të hershëm, nga fëmijëria, deri në moshën 40-vjeçare.

"Numri i grave që diagnostikohen me diabet para apo gjatë shtatzënisë është rritur në nivel global dhe fëmijët e këtyre grave kanë më shumë mundësi të kenë faktorë rreziku për sëmundje kardiovaskulare në të ardhmen, për shembull hipertension dhe nivele të larta të sheqerit në gjak. Nuk është ende e qartë nëse, apo deri në çfarë pike, ekspozimi ndaj diabetit në mitër shton rrezikun për të zhvilluar një sëmundje kardiovaskulare gjatë jetës", shpjegon Yongfu Yu (Spitali Universitar Aarhus, në Danimarkë), autor kryesor i studimit.
Për të vlerësuar lidhjen mes diabetit të diagnostikuar para apo gjatë shtatzënisë dhe sëmundjeve kardiovaskulare gjatë 40 viteve të para të jetës, kërkuesit kanë përdorur të dhëna të regjistrit kombëtar danez mbi më shumë se 2.4 milionë fëmijë të lindur pa kardiopati kongjenitale në Danimarkë, në periudhën 1977-2016. Analiza e të dhënave ka treguar te fëmijët e lindur nga nëna me diabet, një shtim prej 29% të normës së përgjithshme të sëmundjeve kardiovaskulare me fillim të hershëm, krahasuar me fëmijët e nënave që nuk kishin patur diabet. Kërkuesit kanë vlerësuar edhe normat për sëmundje specifike dhe kanë zbuluar se fëmijët e nënave me diabet kanë shfaqur norma më të larta të insuficiencës kardiake (45%), sëmundje hipertensive (78%), trombozë venoze të thellë (82%) dhe emboli pulmonare (91%). Janë vëzhguar përqindje të shtuara në çdo fashë moshe para të njëzetave dhe në fillim të moshës së rritur, nga 20 në 40 vjeç, pavarësisht nga fakti nëse i janë ekspozuar diabetit paragjestacional apo gjestacional, si për diabetin e tipit 1, ashtu edhe për atë të tipit 2.

Fëmijët e nënave me komplikacione diabetike apo me diabet dhe një histori sëmundjeje kardiovaskulare, kanë treguar norma më të larta të sëmundjes me nisje të hershme, krahasuar me ata të lindur nga nëna vetëm me diabet. Autorët nënvizojnë se, duke qenë se bëhet fjalë për një studim vëzhgues, nuk është e mundur të vendoset një lidhje shkakore dhe se nuk është e mundur as të përjashtohet mundësia që disa prej rezultateve mund të rrjedhin nga faktorë që nuk janë matur. "Rezultatet tona, sidoqoftë, evidentojnë rëndësinë për të vënë në veprim strategji efikase për skrinimin dhe parandalimin e diabetit te gratë në moshë fertile", përfundojnë ekspertët.

 

BMJ 2019. Doi: 10.1136/bmj.l6398
https://doi.org/10.1136/bmj.l6398


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>