Gjinekologji

dhj132023

Hipertensioni gjestacional. Rrezik i shtuar nga përdorimi i pijeve energjike

Sipas një studimi të kryer nga JAMA Network Open me në krye profesoren e asociuar Ming Ding (Departamenti i Mjekësisë së Urgjencës, Universiteti i Karolinës së Veriut, SHBA), konsumi i pijeve energjike në periudhën para shtatzënisë shton rrezikun e hipertensionit gjestacional.

Kërkuesit shkruajnë se: "Shitja e pijeve energjike, të përdorura për shtimin e vigjilencës dhe të performancës fizike në SHBA, është rritur me 240% që prej vitit 1987", duke saktësuar se vlerësimet aktuale tregojnë se ato përdoren nga rreth 16% e studentëve. Fushatat e reklamimit u drejtohen shpesh të rinjve, gjë që shton shqetësimet mbi sigurinë e pijeve energjike, si dhe mbi rritjen e vlerave të tensionit sistolik dhe diastolik, shtimin e ankthit, depresionit dhe stresit, të përzierave, të vjellave, dëmtimeve hepatike dhe renale.

"Duke qenë se një pjesë e madhe e konsumatorëve përfaqësohet nga të rinjtë madhorë në moshë riprodhuese, përfshirë edhe vajzat, është i rëndësishëm shqyrtimi i lidhjes së pijeve energjike me ndërlikimet e shtatzënisë", sqaron Ding. Ajo, së bashku me kolegët, ka verifikuar lidhjet e mundshme ndërmjet komplikacioneve të shtatzënisë dhe konsumit të pijeve energjike para ose gjatë shtatzënisë në dy studime perspektive në zhvillim e sipër (Nurses' Health Study 3 (NHS3) dhe Growing Up Today Study (GUTS)) që përfshijnë gra në moshë riprodhuese dhe një numër të përgjithshëm prej 7304 shtatzënish (4736 gra kishin përdorur pije energjike para shtatzënisë dhe 4559 gjatë saj).

Rezultatet tregojnë se konsumi i pijeve energjike lidhet me tymosjen, obezitetin dhe me nivelin e ulët të arsimimit. Studimi GUTS ka nxjerrë në pah se konsumi i pijeve energjike ka shkaktuar lindje spontane në 19% të shtatzënive, lindje të parakohshme në 4%, diabet gjestacional në 4% dhe shqetësime hipertensive në 7% të tyre. Ndërsa, sipas studimit NHS3, konsumi i pijeve energjike ka shkaktuar abort spontan në 18% të shtatzënive, lindje të parakohshme në 4%, diabet gjestacional në 5%, hipertension gjestacional në 5%, preeklampsi në 3% dhe çfarëdolloj çrregullimi hipertensiv në 8% të tyre. Lidhjet ndërmjet përdorimit të pijeve energjike dhe çrregullimeve hipertensive ishin më të mëdha te pjesëmarrësit më të mëdhenj në moshë në studime.

"Këto të dhëna tregojnë se konsumi i pijeve energjike lidhet me shtimin e rrezikut për hipertension gjestacional dhe rekomandojnë kujdes ndaj përdorimit të pijeve energjike në moshë riprodhimi", përfundon Ming.

JAMA Network Open 2023. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2023.44023
http://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2023.44023


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>