Diabetologji

kor122019

Canagliflozina ka efekt mbrojtës mbi veshkat, te të sëmurët me diabet e sëmundje renale

Sipas një studimi të publikuar në "New England Journal of Medicine", canagliflozina, një medikament i zhvilluar për të ulur nivelet e glukozës te të sëmurët me diabet, ka efekt mbrojtës kundër insuficiencës renale. Medikamenti ka treguar se është edhe gjendje të reduktojë insuficiencën kardiake dhe eventet e mëdha kardiovaskulare, si dhe të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e komplikimeve kardiovaskulare, të cilat janë të zakonshme te njerëzit me sëmundje renale.
"Diabeti është shkaku kryesor i insuficiencës renale në mbarë botën, por për pothuajse njëzet vjet nuk ka pasur trajtime të reja për të mbrojtur funksionin e veshkave në këtë popullsi", shpjegon Vlado Perkoviç (Instituti "George" për Shëndetin Global, Oksford, Britani e Madhe), autor kryesor i studimit. "Rezultati ynë shënon një pikë të madhe kthese në fushën mjekësore, pasi njerëzit me diabet dhe sëmundje renale janë më të rrezikuar nga insuficienca renale, infarkti, iktusi dhe vdekja. Tani kemi një mënyrë shumë efektive për ta zvogëluar këtë rrezik, thjesht duke përdorur një pilulë një herë në ditë", shton ai.

Në studim, hulumtuesit rekrutuan 4,401 pacientë me diabet dhe sëmundje renale nga 34 vende. Gjysma e pjesëmarrësve kanë marrë canagliflozinë dhe trajtimin më të mirë në dispozicion për sëmundjet renale sipas udhëzimeve aktuale, pra, frenuesit e enzimës konvertuese të angiotensinës (ACE) ose bllokues të receptorëve të angiotensinës (ARBs). Grupi i kontrollit ka marrë trajtimin më të mirë në dispozicion dhe një placebo.

Kështu, numri i atyre që kanë zhvilluar insuficiencë renale apo vdekje nga insuficienca renale ose sëmundjet kardiovaskulare është reduktuar me 30% në grupin e ndërhyrjes. Për më tepër, hospitalizimet për shkak të insuficiencës kardiake janë ulur me 39% dhe rreziku i rezultateve serioze kardiovaskulare është zvogëluar me 20%. Nga ana tjetër, nuk ka patur asnjë rrezik për efekte të rëndësishme anësore. Sipas ekspertëve, këto rezultate janë mbresëlënëse, megjithëse bari nuk është ndër më të efektshmit për uljen e sheqerit në gjak te njerëzit me sëmundje renale.
"Avantazhi thelbësor mbi rrezikun për insuficiencë renale, pavarësisht nga efektet e kufizuara mbi gliceminë, është se këto barna kanë gjithashtu mekanizma të tjerë veprimi. Kjo është një fushë që meriton hulumtime intensive", përfundon Perkoviçi.


NEJM 2019. Doi: 10.1056/NEJMoa1811744
https://www.nejm.org/doi/full/10.1056/NEJMoa1811744?query=featured_home


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>