mar32020
Linagliptina në diabet, e sigurt nga këndvështrimi kardiovaskular e renal te të moshuarit
Sipas një nënanalize të studimit Carmelina, të publikuar në "Diabetes Obesity and Metabolism", inhibitori i DPP-4 me dozim unik, linagliptinë, nuk shton te pacientët e moshuar, me diabet të tipit 2, rrezikun për ngjarje të kundërta kardiovaskulare apo për hipoglicemi, kur krahasohet me placebon.
"Pavarësisht se diabeti i tipit 2 ka prevalencë të lartë në popullsinë e moshuar, individët mbi 65 vjeç janë shumë pak të përfaqësuar në studimet klinike. Nënanaliza e studimit Carmelina, ka vlerësuar në fakt rezultatet klinike dhe ngjarjet e kundërta në një popullsi pacientësh mbi 18 vjeç, duke e ndarë këtë popullsi në fasha moshore dhe duke marrë në konsideratë në mënyrë të ndarë, njerëzit nën 65 vjeç, ata nga 65 në më pak se 75 vjeç dhe ata që janë të paktën 75 vjeç", shpjegon Mark Cooper (Universiteti Monash në Melburn), autori kryesor i studimit.
Studimi origjinal përfshiu 6.979 të rritur me diabet të tipit 2 në rrezik tjetër kardiovaskular, kryesisht me sëmundje shoqëruese të veshkave, të ndjekur për një mesatare prej 2.2 vjetësh, në mbi 600 qendra në 27 vende dhe ka vlerësuar, përveç terapisë standarde, efektet e linagliptinës në dozë 5 mg një herë në ditë në krahasim me placebon, në rezultatet kardiovaskulare. Terapia standarde përfshin agjentët hipoglicemikë dhe barnat kardiovaskulare. Kështu, studiuesit vëzhguan se linagliptina nuk rrit rrezikun e ngjarjeve të kundërta renale apo kardiovaskulare, ose numrin e shtrimeve në spital për shkak të pamjaftueshmërisë kardiake, në krahasim me placebon në të gjitha grupmoshat e marra në konsideratë. Linagliptina përmirësoi gjithashtu kontrollin glicemik, gjithmonë në të gjitha grupet. Në lidhje me incidencën e përgjithshme të ngjarjeve anësore, përfshirë hipogliceminë, është vërejtur një rritje paralelisht me moshën, si me linagliptinën, ashtu edhe me placebon, megjithëse linagliptina uli hemoglobinën e glikuar (HbA1c).
"Këto gjetje duhet të ofrojnë konfirmim të mëtejshëm për profesionistët e kujdesit shëndetësor, që linagliptina mund të përdoret në një popullatë të madhe pacientësh për të përmirësuar kontrollin e glicemisë dhe njëkohësisht, të garantojë sigurinë kardiovaskulare dhe renale", përfundon Waheed Jamal, shef i mjekësisë kardiometabolike në Boehringer Ingelheim, ndërmarrje prodhuese e barit.
Diab Obes Metab 2020. Doi: 10.1111/dom.13995
https://doi.org/10.1111/dom.13995