kor312019
Infarkti i miokardit dhe parodontiti. Rrezik i dyfishtë në rastin e diabetit të pakontrolluar
Në diabetin e padiagnostikuar ose te pacientët që kanë vështirësi në kontrollin e sheqerit në gjak, mund të dyfishohen mundësitë për të zhvilluar infarkt miokardi ose parodontit, sëmundja që përfshin gengivat dhe që mund të shkaktojë rënie të dhëmbëve.
Kjo ka dalë nga një studim i publikuar në "Diabetes Care" dhe i koordinuar nga Anna Norhammar (kardiologe dhe profesore në Institutin Karolinska, Suedi), ku morën pjesë rreth 800 pacientë të cilët kishin pasur një infarkt, krahasuar me shumë individë të grupit të kontrollit, që nuk kishin patur sulme kardiake. Janë përjashtuar nga protokolli, personat që kishin kaluar infarkt, por që ishin diagnostikuar tashmë me diabet.
Më tej, studiuesit i kanë ndarë pjesëmarrësit sipas niveleve të tyre të sheqerit në gjak, duke zbuluar se pacientët me vështirësi pak a shumë serioze për të kontrolluar glukozën në gjak ose që deri në atë moment nuk ishin diagnostikuar me diabet, kishin dy herë më shumë të ngjarë të kishin pasur një infarkt paraprak. Në mënyrë të ngjashme, edhe diabeti i padiagnostikuar ka qenë i lidhur me një rrezik të dyfishtë për parodontit.
"Nga të dhënat tona del se kontrolli glicemik është një faktor rreziku si për parodontitin, ashtu edhe për infarktin dhe se lidhja mes sëmundjes gingivale dhe diabetit të padiagnostikuar shton më tej rrezikun për infarkt", thekson autorja. Francesco Purrello, profesor në Universitetin e Katanias dhe president i Shoqatës Italiane të Diabetologjisë, komenton: "Ky është një studim i mirëfilltë që konfirmon se është e nevojshme të shtohen përpjekjet për të zbuluar rastet e diabetit të padiagnostikuar, duke krijuar një kontakt gjithnjë e më të ngushtë mes diabetologëve, kardiologëve dhe dentistëve.
"Në veçanti, në qendrat e diabetologjisë, duke futur kontrollin e dhëmbëve mes atyre të komplikacioneve kronike të diabetit, diagnostikohen herët dhe trajtohen më mirë sëmundjet parodontale të hershme që përndryshe, do të përkeqësoheshin. Anasjelltas, në klinikat dentare, futja e glicemisë si një ekzaminim rutinë, shpesh zbulon rastet e diabetit që nuk janë diagnostikuar deri në atë çast", përfundon eksperti.
Diabetes Care. 2019. doi: 10.2337/dc19-0018
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31182493