sht202019
Niveli i lartë i kolesterolit, shton rrezikun për glaukomë. Statinat mund të ndihmojnë
Rreziku për glaukomë primare me kënd të hapur, duket se shtohet hap pas hapi, me rritjen e vlerave të kolesterolit, por përdorimi i statinave në mënyrë afatgjatë, mund të mbrojë në këtë drejtim, siç sugjeron një studim i publikuar në "JAMA Ophthalmology".
"Studime të ndryshme vëzhguese kanë vlerësuar lidhjen mes përdorimit të statinave dhe rrezikut për glaukomë primare me kënd të hapur, por rezultatet, shpesh, janë kontradiktore. Disa punime kanë vëzhguar lidhje të anasjella, ndërsa të tjera nuk kanë zbuluar asnjë lloj efekti, ose madje kanë gjetur lidhje me shenja të kundërta", shpjegon Jae Kang (Shkolla Mjekësore Harvard e Bostonit), emri kryesor i studimit. "Gjithashtu, studimet që kanë folur për lidhje të anasjella, kanë referuar lidhje më të forta me të paktën dy vjet përdorim, por mungojnë të dhënat mbi lidhjen me një përdorim të zgjatur të statinave", vazhdon.
Për të sqaruar situatën, kërkuesit kanë ndjekur për 15 ose më shumë vjet 140.000 profesionistë shëndetësorë me moshë 40 ose më shumë vjeç në SHBA, pa glaukomë në bazë. Gjatë periudhës së marrë në konsideratë, 0,6% e pjesëmarrësve në studim kanë zhvilluar glaukomë primare me kënd të hapur dhe në mënyrë të përgjithshme, një nivel më të lartë kolesteroli total, është lidhur me një shtim të rrezikut për glaukomë. Në veçanti, për çdo shtim prej 20 mg/dL të kolesterolit total, rreziku për glaukomë është shtuar me 7%. Përdorimi i statinave për të paktën 5 vjet është lidhur me një reduktim të riskut prej 21%, edhe pasi analiza është rregulluar sipas nivelit të kolesterolit total.
Autorët nënvizojnë se ky efekt mund të shkaktohet nga fakti që statinat janë në gjendje të ulin pesionin intraokular dhe të kenë efekte neuro-protektive në qelizat gangliare të retinës. Në një koment shoqërues, Yao Liu e Barbara Klein (Universiteti i Uiskonsinit), konfirmojnë se me siguri, studimi shton të dhënat e çmuara për të kuptuar raportin mes kolesterolit, statinave dhe glaukomës. "Gjithsesi, mendojmë se është ende herët t'u këshillojmë pacientëve në rrezik për të zhvilluar glaukomë, që të nisin një terapi me statina, ekskluzivisht, për parandalimin primar të kësaj patologjie", përfundojnë ata.
JAMA Ophthalmol. 2019. doi: 10.1001/jamaophthalmol.2019.0900
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31046067