Diabetologji

dhj162019

Kirurgjia bariatrike dhe remisioni i diabetit: bypass-i gastrik përballë gastrektomisë në formë mënge

Sipas një studimi norvegjez, të botuar në "Lancet Diabetes and Endocrinology", mes pacientëve obezë me diabet të tipit 2 (DM2), bypass-i gastrik është lidhur me një normë të remisionit të DM2 edhe një vit më shumë, në krahasim me gastrektominë vertikale të pjesshme apo në formë mënge, e quajtur zakonisht gastrektomia e mëngës.
"Te pacientët shumë obezë, që i nënshtrohen operacionit bariatrik, nuk është ende e qartë se cila ndërhyrje ndërmjet bypass-it gastrik dhe gastrektomisë së mëngës ofron norma më të mira të remisionit të DM2", thotë bashkautori Joeran Hjelmesaeth (Vestfold Hospital Trust), i cili së bashku me kolegët ka krahasuar normat e remisionit të diabetit me dy qasjet në një studim me përzgjedhje rastësore, trefish të verbër, në të cilin kanë marrë pjesë 109 pacientë me obezitet të rëndë (BMI mesatare 42.3) dhe HbA1c mesatare prej 7.9%.

"Normat e remisionit të diabetit në 5 dhe 16 javë ishin të ngjashme mes të dyja grupeve", shkruajnë autorët, duke shtuar, megjithatë, se pas një viti ndjekjeje, normat e remisionit të plotë ishin dukshëm më të larta në grupin e bypass-it gastrik (40/53, 75%), në krahasim me grupin e gastrektomisë së mëngës (26/54, 48%). Vlerat e HbA1c u ulën me rreth dy pikë përqindjeje në të dyja grupet gjatë ndjekjes dhe përgjigjja akute e insulinës në glukozë, si dhe ndjeshmëria ndaj insulinës u përmirësuan në të dyja grupet, megjithëse në një masë më të madhe në grupin e bypass-it gastrik. Në fund, rënia në peshë për një periudhë një vjeçare ishte dukshëm më e madhe në grupin e bypass-it gastrik (29%) sesa në grupin e gastrektomisë mëngë (23%), ndërsa komplikacionet dhe efektet anësore rezultuan të mbivendosura në të dyja grupet.
Paul O'Brien (Qendra për Kërkimin dhe Edukimin mbi Obezitetin në Universitetin Monash, Melburn), komenton në një editorial shoqërues: "Tani ekzistojnë disa procedura bariatrike në përdorim ose në zhvillim dhe ky studim tregon se, midis dy opsioneve më të përhapura, ai i bypass-it gastrik është më i miri. Dhe, derisa të paraqiten të dhëna me cilësi të barasvlershme përsa u përket opsioneve të tjera, bypass-i duhet të konsiderohet procedura e paracaktuar".


Lancet Diab Endoc 2019. Doi: 10.1016/S2213-8587(19)30344-4
https://doi.org/10.1016/S2213-8587(19)30344-4

Lancet Diab Endoc 2019. Doi: 10.1016/S2213-8587(19)30352-3
https://doi.org/10.1016/S2213-8587(19)30352-3


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>