Diabetologji

jan102020

Një episod i pankreatitit në fëmijëri, rrit rrezikun për diabet të tipit 2

Sipas një studimi të botuar në "Diabetes Care", një episod i izoluar i pankreatitit që është shfaqur në fëmijëri, lidhet me rrezik më të lartë për zhvillimin e diabetit tip 2 në moshë të rritur. "Fëmijët dhe adoleshentët me pankreatit mund të kenë nevojë për ndjekje më të rreptë të vlerave të glukozës në gjak dhe kontroll të kujdesshëm të faktorëve të rrezikut të modifikueshëm të diabetit pas një ngjarjeje akute të pankreatitit që është zgjidhur", shpjegon Gilad Twig (Universiteti Hebraik i Jeruzalemit), autori kryesor i studimit.
"Aktualisht, po bëhet një studim i financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit mbi faktorët e rrezikut dhe rezultatet e pankreatitit akut të përsëritur dhe kronik te fëmijët, por pankreatiti akut jo i përsëritur nuk është studiuar mirë dhe nuk është e qartë nëse është i lidhur me një rrezik të shtuar për diabet", shton ai.

Për të vlerësuar lidhjen, studiuesit ekzaminuan 1.8 milionë adoleshentë izraelitë të cilët iu nënshtruan ekzaminimeve mjekësore nga viti 1979 deri në vitin 2008, para se të fillonin shërbimin ushtarak, duke identifikuar 394 pjesëmarrës me një histori të pankreatitit fëminor, nga të cilët, 281 me pankreatit akut të zgjidhur dhe 113 me sëmundje kronike pankreatike, të gjithë me funksion normal të pankreasit në kohën e regjistrimit në studim. Nga pacientët me pankreatit të zgjidhur, 13 (4.63%) zhvilluan diabet gjatë ndjekjes, krahasuar me 44,463 (2.47%) të atyre që nuk kishin histori të sëmundjes pankreatike. Në grupin me pankreatit kronik, megjithatë, 9 vetë (8%) zhvilluan diabet. Individët me një histori të pankreatitit në fëmijëri, zhvilluan diabet në një moshë mesatare prej 36.4 vjetësh, krahasuar me 40.7 vjeç për ata në grupin e paekspozuar.

92% e individëve me një histori të pankreatitit fëminor që zhvilluan diabet, e morën diagnozën e diabetit para moshës 40-vjeçare, krahasuar me 47% të atyre që nuk kishin histori pankreatiti. "Meqenëse diabeti i tipit 2 është potencialisht i parandalueshëm, ulja e hershme e rrezikut dhe një ndjekje e kujdesshme mund të reduktojnë rrezikun e zhvillimit të sëmundjes te këta pacientë", përfundon Twig-u.

 

Diabetes Care 2019. Doi: 10.2337/dc19-1562
https://doi.org/10.2337/dc19-1562


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>