Pediatri

mar142023

Obeziteti në fëmijëri shton rrezikun për diabet në moshë të rritur

Një studim i botuar në "Diabetology" dhe i koordinuar nga Sofia Carlson nga Instituti Karolinska në Stokholm, ka arritur në përfundimin se obeziteti infantil shton rrezikun për katër nga pesë nëntipet e reja të propozuara për diabetin te të rriturit.

"Adipoziteti infantil është një faktor rreziku jo vetëm për diabetin në moshë të rritur i cili karakterizohet nga obeziteti ose rezistenca ndaj insulinës, por edhe për nëntipet e karakterizuara nga mungesa e insulinës ose autoimuniteti", shkruajnë autorët.

"Në një studim të vitit 2018, u identifikuan sa vijon: diabeti i rëndë autoimun (SAID, duke përfshirë diabetin e tipit 1 dhe sëmundjen latente autoimune te të rriturit [LADA]) dhe katër nëntipe të diabetit të tipit 2 (diabeti me mungesë të rëndë të insulinës [SIDD], diabeti i rëndë rezistent ndaj insulinës [SIRD], diabeti i lehtë i lidhur me obezitetin [MOD] dhe diabeti i lehtë i lidhur me moshën [MARD])", shpjegon studiuesja, duke shtuar se aktualisht SIDD, SIRD, MOD dhe MARD janë klasifikuar si diabet i tipit 2, pavarësisht dallimeve në karakteristikat klinike, ndërlikimeve dhe sfondit gjenetik të këtyre nëntipeve.

"Adipoziteti infantil ka qenë i lidhur edhe më parë me disa sëmundje kronike, ndër të cilat edhe diabeti, por nuk është studiuar kurrë në lidhje me nëntipet e propozuara së fundmi", thekson Carlson, e cila së bashku me kolegët krahasuan efektet e parashikuara gjenetikisht të obezitetit infantil në nëntipet të ndryshme të diabetit duke përdorur të dhënat e 450,000 individëve të regjistruar në Biobank në Mbretërinë e Bashkuar.
Nivelet e larta të adipozitetit infantil u lidhën me një rritje prej 62% të rrezikut për LADA, dyfishim të rrezikut për SIDD, pothuajse një rrezik trefish më të lartë për SIRD dhe një rritje shtatëfish të rrezikut për MOD. MARD ishte nëntipi i vetëm që nuk tregoi asnjë lidhje me obezitetin infantil.

"Adipoziteti infantil është një faktor rreziku për katër nga pesë nëntipet e reja të propozuara të diabetit te të rriturit, pavarësisht nga prania e autoimunitetit, mungesës së insulinës, rezistencës ndaj insulinës ose obezitetit. Kjo nënvizon se sa i rëndësishëm është parandalimi i obezitetit te fëmijët", përfundon Carlson.

 

Diabetologia 2023. Doi: 10.1007/s00125-023-05883-x
https://doi.org/10.1007/s00125-023-05883-x


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>