mar82021
Mbipesha e fëmijëve. Antidiabetiku metforminë mund të jetë një mundësi e dobishme
Sipas rezultateve të një shqyrtimi sistematik të botuar në "Pediatrics", metformina ka efekte modeste në peshën dhe rezistencën ndaj insulinës te fëmijët obezë. "Menaxhimi i obezitetit të fëmijërisë bazohet te ndryshimet në stilin e jetesës, por respektimi afatgjatë i ndryshimeve në dietë dhe shtimi i aktivitetit fizik mbetet i dobët", thotë nënshkruesja e parë e artikullit, Reem Masarwa (Universiteti i Montrealit McGill), duke shtuar se, duke pasur parasysh rezultatet e studimit, metformina mund të konsiderohet si një terapi shtesë për fëmijët dhe adoleshentët obezë te të cilët, ndërhyrjet në stilin e jetesës nuk janë të mjaftueshme dhe që kanë faktorë shtesë të rrezikut, siç janë prediabeti dhe diabeti i tipit 2.
"Megjithatë, ne nuk kemi qenë në gjendje të shqyrtojmë plotësisht efektivitetin e barit në doza të ndryshme dhe nëse indikacioni kryesor për metforminën është diabeti dhe matjet e glukozës në gjak të pacientëve janë brenda intervalit të dëshiruar, doza nuk duhet të ndryshohet. Për më tepër, administrimi i antidiabetikut duhet të shmanget te pacientët me mosfunksionim të rëndë renal dhe acidozë metabolike akute ose kronike", shkruajnë autorët, të cilët duke shqyrtuar literaturën shkencore deri në nëntor 2019 zgjodhën 24 studime të kontrolluara me përzgjedhje rastësore për një numër të përgjithshëm prej 1,623 pacientësh, te të cilët efikasiteti dhe siguria e metforminës u vlerësuan me ndërhyrje në stilin e jetesës kundrejt placebos dhe ndërhyrje në stilin e jetës, te fëmijët dhe adoleshentët obezë të moshës 4-19 vjeç, të ndjekur për një periudhë që varion nga dy muaj, deri në dy vjet.
Të dhënat e mbledhura tregojnë se, krahasuar me placebon, metformina shkakton si një ulje modeste të indeksit të masës trupore (BMI), ashtu edhe të rezistencës ndaj insulinës, përkundrejt një frekuence më të lartë të efekteve të padëshirueshme gastrointestinale. "Rënia në peshë pak më shumë se dy kilogramë, e vërejtur në këtë studim, nuk ka gjasa të luajë një rol të rëndësishëm në shëndetin e fëmijës dhe në rrezikun e ardhshëm për komplikacione. Nevojiten studime të mëtejshme për të hetuar përfitimet e mundshme në obezitetin e fëmijëve, si të metforminës më vete, ashtu edhe në kombinim me barna të tjera", përfundon Masarwa.
Pediatrics 2021. Doi: 10.1542/peds.2020-1610
https://doi.org/10.1542/peds.2020-1610